RUSI- Trupi i pajetë i opozitarit dhe kundërshtarit të përbetuar të Vladimir Putin, Alexey Navalny i është dorëzuar nënës së tij, tha të shtunën zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh.
“Trupi i Alexeit iu dha nënës së tij. Faleminderit shumë të gjithëve që e kërkuan këtë me ne”, ka shkruar ajo në platformën X.
Më tej ajo shtoi se nuk e di nëse autoritetet ruse do të lejojnë mbajtjen e varrimit të tij “në mënyrën se si familja dëshiron dhe në mënyrën se si Alexey e meriton”.
“Lyudmila Ivanovna është ende në Salekhard. Varrimi është ende në pritje. Nuk e dimë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për ta realizuar atë siç dëshiron familja dhe siç e meriton Alexey. Ne do t’ju informojmë sapo të ketë diçka”, shkroi zëdhënësja.
Kundërshtari politik më i njohur i Vladimir Putinit vdiq në burg më 16 shkurt, dhe nëna e tij Lyudimila Navalnaya, ka kërkuar prej ditësh nga autoritetet ruse që t’ia dorëzojnë trupin e djalit, raportoi SkyNews.