Seminari me trajnerët e Manchester City, Shulku: Është një risi, FSHF e hapur për bashkëpunime

schedule14:56 - 22 Shkurt, 2024

schedule 14:56 - 22 Shkurt, 2024

Është zhvilluar sot në Shtëpinë e Futbollit seminari për trajnerët e akademive të futbollit të zonës së Tiranës dhe Durrësit, ku pjesëmarrës si lektorë ishin dy trajnerët e ardhur nga akademia e Manchester City-t, Gavin Rhodes dhe Andy Smith.

Organizatorët e këtij seminari ishin “Dyrrah City Football Academy” në bashkëpunim me Manchester City FC si edhe me mbështetjen e FSHF-së, që mirëpriti këtë event në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Të pranishëm gjatë këtij aktiviteti ishin edhe Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku së bashku me Zv.Ministrin e Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha.

Në prononcimin e tij për mediat, Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku tha se është një risi ardhja e Manchester City në Shqipëri, që tregon se futbolli në vendin tonë është zhvilluar shumë. Gjithashtu ai shtoi se Federata Shqiptare e Futbollit ka qenë dhe do të jetë e hapur për bashkëpunime të tilla, që nxisin zhvillimin e futbollit shqiptar.

“Është një risi ardhja e Manchester City në Shqipëri që do t’i shërbejë shumë zhvillimit të futbollit në vendin tonë. Federata e Futbollit është gjithmonë e hapur dhe do të mbështesë të gjitha bashkëpunimet edhe me akademitë e tjera, sidomos të këtyre niveleve. Dyert tona janë të hapura për bashkëpunim dhe për çdo lloj ndihme që do të kërkohet nga Federata Shqiptare e Futbollit.

Kjo tregon që futbolli shqiptar është në rrugën e duhur, është zhvilluar shumë dhe jo më kot Manchester City ka ardhur në Shqipëri, ka parë që futbolli po zhvillohet, po ecën përpara dhe jo rastësisht kemi shkuar edhe në Europian, me ndeshje dinjitoze dhe të përfaqësohemi shumë mirë në Europian, që është ëndrra e të gjithë shqiptarëve”,- tha Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku.

Ndërsa, Zv.Ministri i Arsimit dhe Sportit, Endrit Hoxha, vlerësoi bashkëpunimin me FSHF-në dhe tha se është një mundësi e mirë për t’i treguar akademive si duhet të funksionojnë për të arritur sukses.

“Sot është dita e parë e fillimit dhe prezantimit për të gjithë trajnerët e zonës së Tiranës dhe Durrësit. Për të sjellë akademinë e Manchester City nuk ka qenë e lehtë, por këtë nuk do ta bënim kurrë edhe pa mbështetjen e Federatës Shqiptare të Futbollit.

Për të sjellë kurrikulën e Manchester City-t në Shqipëri, për të treguar në bashkëpunim me Federatën për akademitë e tjera, mënyrën se si duhet të ndërtohet, të funksionojë, për të arritur atje që është ëndrra e të gjithëve se tashmë Shqipëria është kualifikuar në Europian, siç është ëndrra duhet të vazhdojë”,- tha Zv.Ministri Hoxha. /FSHF