Gigi Buffon nuk ka ndërmend të ndalet. Portieri i Juventusit feston 42-vjetorin e lindjes në janar dhe fundi i karrierës është ende larg. “Do të luajë deri në moshën 44-vjeçare”, u shpreh agjenti i tij disa ditë më parë.
Fitimi i Champions League me bardhezinjtë, klubin e tij të zemrës, është ëndrra e madhe. Portieri legjendar ka prekur disa tema gjatë prononciomit të tij për emisionin “Tiki Taka”. Buffon tregon rivalin kryesor për titull dhe flet për të ardhmen.
Juventusi është gjithçka për të, teksa nuk mungon një koment për De Ligt. Dëmtimi i Chiellinit, i rëndësishëm po aq sa CR7 sipas Buffon, ishte i rëndë për skuadrën, por çdo gjë e keqe e ka një të mirë. Holandezi po aktivizohet rregullisht. Gabimet nuk kanë munguar, por De Ligt po rritet dhe po mëson mjeshtrinë e stilit italian të defensivës.
BARAZIMI – “Në futboll ekzistojnë të tre rezultatet. Ndonjëherë është mirë të pranosh barazimin pa krijuar polemika, edhe pse i kemi mësuar njerëzit vetëm me fitore. Gjithsesi, zhvilluam një ndeshje të mirë kundër Lecces”.
PSG – “Nuk mund të mos e pranoja ofertën e tyre, doja të sfidoja veten. Juventusi më bëri një ofertë të përshtatshme më pas dhe nuk u mendova dy herë për t’u rikthyer”.
E ARDHMJA – “Nuk besoj se do të bëhem drejtues. Gjendja psiko-fizike më bën të ndihem ende një lojtar i rëndësishëm. Nuk mendoj për të ardhmen. Kur ta kuptoj se nuk do të jem më në gjendje për të performuar në fushën e blertë, do të shkoj te drejtuesit dhe do u them që koha ime ka mbaruar”.
JUVENTUSI – “Ajo që më ka dhënë Juventusi është një trashëgimi e paçmuar, do e falënderoj gjithmonë këtë klub. Nëse u mora në konsideratë nga PSG në moshën 40-vjeçare, kjo ndodhi falë Juves. I detyrohem shumë edhe vetes time e nënës natyrë që më dhuroi disa cilësi”.
INTER-NAPOLI – “Interi është kundërshtari ynë kryesor këtë vit. E njoh Conten dhe e di që është në gjendje të realizojë mrekulli sportive. Edhe Napoli është në garë për titull, sigurisht. Duhet të fitonte kundër Spalit për t’i bërë presion psikologjik Interit dhe Juventusit, por nuk ia doli”.
DE LIGT – “Vetëm dëmtimi i Ronaldos do të ishte më i keq se ai i Chiellinit, por diçka e tillë ka ndihmuar përshtatjen e De Ligt”. /abcnews.al