Nis asfaltimi në lotin 1 të aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII. Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi ndoqën nga afër ecurinë e punimeve.
Drejtori Berberi tha se aktualisht po punohet në 4 lotet e para të aksit Elbasan-Qafë Thanë ku po avancohet me ritme të shpejta. “Kemi katër segmente të hapura sot. Tek loti i parë filluam asfaltin, ndërkohë tek lotet e tjera gradualisht punojmë me shtresën mbushëse, me veprat e artit, me gërmimet dhe me krijimin e pilotave tek ura e madhe mbi lumin Shkumbin që na lidhë me zonën e Murrashit, ku do të ketë një devijim të madh me një tunel për të dalë matanë zonës së Murrashit”, tha Berberi.
Është një punë që do përpjekje, e cilësoi Ministrja Balluku, pasi referuar kontratës punimet për lotin 1 duhet të përfundojnë në fund të muajit mars të këtij viti. Balluku tha se për 6 javë do të kemi komplet lotin e parë të autostradës të Korridorit të VIII, Elbasan-Qafë Thanë, të përfunduar. “Kur të vijë sezoni veror kjo pjesë e vështirë e kalimit në zonën e Labinot Fushë do të jetë komplet e zgjidhur, dhe ne do të jemi të gatshëm për të vazhduar me të gjithë segmentet e tjera”, u shpreh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Sfidë mbetet bypass-i i Elbasanit, ku menjëherë pas detajimit të projektit do të vijohet me procedurat e financimit. Ndërtimi i këtij bypass-i do të bëjë të mundur çlirimin e trafikut, pasi do të devijojë lëvizjen e automjeteve duke shmangur hyrjen përmes qytetit të Elbasanit.
“Sfida jonë më e madhe do të mbetet bypass-i i Elbasanit pasi kjo autostradë do të zgjidhë gjithë trafikun, por përsa kohë krijon hinkën dhe hyrjen direkt në qytetin e Elbasanit nuk do jetë një zgjidhje e plotë. Kështu që, direkt me përfundimin dhe detajimin e projektit, ne do të jemi të gatshëm që të fillojmë më pas dhe të hedhim hapa përsa i përket buxhetimit edhe garës për bypass-in e Elbasanit, duke pasur parasysh dhe diçka shumë të rëndësishme që në zonën ku do të ndërtohet bypassi i Elbasanit ne kemi nisur punën për projektin e madh të pistës së Formula 1”, theksoi Balluku.
Aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII. Ndërtimi i këtij aksi do të lehtësoj qarkullimin e automjeteve duke shkurtuar kohën e udhëtimit si dhe duke rritur njëkohësisht parametrat e sigurisë rrugore.