Trafiku në autostradën Tiranë-Durrës paraqitet mjaft i rënduar gjatë orëve të pasdites. Shkak për këtë situatë, përveç lëvizjeve të shumta të qytetarëve në prag të festave, këtë të premte janë bërë edhe dy aksidente.
Aksidenti i parë ndodhi pranë Maminasit. Burime për tvklan.al thonë se bëhet fjalë për një përplasje mes dy automjeteve, fatmirësisht pa dëme në njerëz, por vetëm materiale.
Në një tjetër aksident u përfshinë po dy automjete, një Jeep dhe një Opel. Ngjarja në fjalë ndodhi rreth 2 kilometra nga kthesa për në Rrogozhinë.
Siç mund të shihet edhe në këto dy video të mbërritura në redaksinë e tvklan.al, nga qytetarët, aksidenti ka paralizuar trafikun. Edhe në këtë aksident nuk raportohet për të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca policore si dhe ambulanca. Situata e trafikut përgjatë autostradës mbetet e rënduar./tvklan.al