TIRANË– Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Grant Van Cleve, i ftuar në emisionin “Sheshi i Dollarit” në ABC News tha se Shqipëria ka potencial në disa fusha, por kryesorja është që kompanitë e huaja, kryesisht ato amerikane, duhet të kenë një klimë më lehtësuese kur vijnë dhe investojnë në Shqipëri.
Ai shtoi se ekonomia shqiptare ka disa sektorë strategjikë dhe shumë kompani mund të vijnë dhe të investojnë. Më tej, Grant Van Cleve theksoi e krahas fushës së energjisë, edhe sektorë të tjerë janë premtues dhe mes tyre përmendin fushën e teknologjisë.
“Kanë pasur marrëdhënie strategjike mes shteteve. Firmat duhet të kenë lehtësira në aspektin ligjor. Të gjithë kompanitë amerikane duhet të vijnë. Ka më shumë hapësirë në turizëm. Kanë ardhur turistët, por duhet që tani të shtohen kapacitete në infrastrukturë. Në teknologji, janë firma që mezi po presin të vijnë, por duan të kenë kapital njerëzor të kualifikuar. Me ca ndryshime në ligj dhe në rregullore mund të jetë shumë premtues për të ardhmen.”, tha ai.
Profesori Adrian Civici, listoi disa nga sektorët kryesorë që kanë potencial në përthithjen e investimeve të huaja.
Ai theksoi se Shqipëria krahas ndryshimeve të shpejta, kryesisht në fushën e turizmit, duhet të përgatitet për të pasur një ofertë në parametrat dhe cilësinë e duhur.
“Çdo investim apo investitor që vjen nga jashtë, në radhë të parë kërkon të kuptojë se cilat janë sektorët strategjikë dhe më në zhvillim dhe ata sektorë që garantojnë stabilitet. Sektori i turizmit është një sektor me zgjerim eksponencial. Oferta duhet t’i përgjigjet këtij fluksi me cilësinë e duhur. Sektori i dytë, është energjia, nafta dhe gazi edhe për arsye të një gjeopolitike të investimeve amerikane në botë. Sektori tjetër është sektori i teknologjisë së lartë, që mund të ketë transferim teknologjie dhe transferim kapitalesh dhe mund të investohet”, tha ai./ n.m.abcnews.al