Gjyqtari i pezulluar i Apelit, Shkëlqim Miri, do ta kalojë natën e ndërrimit të viteve nën masën e sigurisë “arrest në burg”. Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e tij për ndryshim të kësaj mase për arsye shëndetësore. Gjykata u bazua në një akt-ekspertimi të mjekësisë ligjore, sipas të cilit, Mirit nuk i rrezikohej jeta nga kjo masë sigurie.
Gjykata për Krimet e Rënda refuzoi kërkesën e gjyqtarit të Apelit, Shkëlqim Miri, për ta liruar nga masa e sigurisë “arrest në burg” për arsye shëndetësore. Gjyqtari u arrestua në 10 nëntor për akuzën e “korrupsionit”, pak pasi ne banesën e tij u gjetën nga policia gati 30 milionë lekë të rinj. Për shkak të problemeve me shëndetin ai po e vuan masën e sigurisë në ambientet e një spitali privat në kryeqytet. Në seancën e së premtes tek Krimet e Rënda gjykata u njoh me raportin e dy ekspertëve të mjekësisë ligjore të cilët ekzaminuan gjendjen e tij shëndetësore.
Para gjykatës, ekspertët pohuan se Shkëlqim Miri vuan nga një sëmundje e rëndë, e cila është përkeqësuar. Por sipas tyre, atij nuk i rrezikohet jeta nëse qëndron në mbikqyrje spitalore. Pretendimet e ekspertëve u kundërshtuan me forcë nga avokati Ardian Visha. Avokati këmbënguli në rrezikun e lartë për dëme të pakthyeshme që mund të ketë në shëndetin e Mirit vijimi i masës “arrest në burg”. Pretendimet e tij nuk u morën parasysh nga gjyqtarja Daniela Shirja. Pas tërheqjes në dhomën e këshillimit ajo vendosi vijimin e masës shtërnguese për kolegun e saj të pezulluar.
Prokuroria për Krimet e Rënda po heton gjyqtarin Miri në lidhje me një aferë korruptive që dyshohet të ketë ndodhur në Gjykatën e Apelit. Sipas prokurorise, ai ka marrë një rryshfet prej 30 mijë euro në këmbim të një vendimi të favorshëm ndaj Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997./abcnews.al
Gazetar i ABC News: Armand Bajrami