Nis rehabilitimi i nënstacionit elektrik të Pogradecit, Balluku: Plan investimesh në të gjitha qytetet turistike

schedule14:38 - 14 Shkurt, 2024

schedule 14:38 - 14 Shkurt, 2024

Në qytetin e Pogradecit ka nisur puna për rehabilitimin e plotë të nënstacionit elektrik. Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Administratorin e OSSH, Blendian Dalipi, inspektuan nga afër ecurinë e punimeve.

“Ky rehabilitim që kemi nisur përbën një rikonfigurim total të nënstacionit. Do të kemi dy transformatorë të rinj nga 20 mega që minimalisht fuqia dhe kapaciteti i këtij nënstacioni trefishohet nga ajo që kemi sot. Sot kemi një fuqi prej 17 megash dhe në të ardhmen, pas një viti, do të kemi një nënstacion me 50 mega kapacitete të instaluara”, tha Dalipi.

Pas tre vitesh ndalim të investimeve, për shkak të tërmetit, pandemisë dhe krizës energjetike, tashmë OSHEE ka bërë gati planin dhe në shumë zona të vendit ka nisur zbatimi i projekteve për përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike. Por, pavarësisht mungesës së investimeve, falë mirë menaxhimit, performanca e OSHEE ishte pozitive madje duke vijuar me uljen e humbjeve në rrjet.

Investimet e nisura, bëri të ditur ministrja Balluku, kanë në fokus fillimisht zonat urbane dhe veçanërisht ato turistike, për t’u shtrirë më tej edhe në zonat rurale të vendit.

“Ky është viti i parë që ne, pas të gjitha krizave që filluan me tërmetin e 2019 dhe pasuan me pandeminë dhe krizën energjetike, kemi një plan të mirë investimesh. Duke pasur një prioritet për zonat urbane, siç janë qytetet, sigurisht prioritet kryesor mbajnë ato qytete të cilat kanë dhe kapacitete turistike, duke qenë se turizmi ka qenë në vitin 2023 një nga sektorët më të suksesshëm, me 10 milionë vizitorë gjatë vitit dhe presim në 2024 mbi 13 milionë dhe sigurisht këto zona janë në fokusin tonë, siç është Pogradeci, Durrësi, Vlora apo dhe Ksamili. Por, nga ana tjetër, sipas një liste prioritare dalëngadalë ne do të futemi edhe në zonat rurale”, tha Balluku.
Ulja e humbjeve në rrjet mbetet një prioritet. Modernizimi dhe inovacioni i sistemit është një element kyç në këtë drejtim, i cili ndikon edhe në performancën e vetë kompanisë.

“Ne kemi një target të qartë që është ulja e humbjeve teknike në rrjet. Askush nuk duhet ta harrojë që i kemi marrë këto humbje teknike në vitin 2013 në nivelin 45% dhe sot jemi më pak se 19%. Synojmë që ta ulim dhe i gjithë plani i punës, gjithë koordinimi që duhet të ketë midis njësive, qoftë të OSSH-së, ashtu dhe të OST-së, në terren është që ne të kontribuojmë për uljen e këtyre humbjeve. Nga ana tjetër edhe modernizimi dhe inovacioni që do të vijë brenda ndërmarrjes ka pikërisht për synim këtë. Sepse me uljen teknike që ne përmendim shpesh duhet pasur parasysh që fillojmë dhe shëndoshim financiarisht kompaninë, duke i dhënë mundësinë kështu për të investuar më tej, qoftë në incentivimin e punonjësve, ashtu siç kemi bërë këtë vit duke rritur pagat me 30%”, u shpreh Balluku.

Investimi në nënstacionin e Pogradecit prek të gjithë qytetin, si dhe zonat turistik Drilon dhe Tushemisht. Nga ana e OSHEEE po investohet me qëllim rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e cilësisë së furnizimit me energji elektrike edhe në zona të tjera të vendit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!