Nga Kavaja Lulzim Basha dha mesazhin se 2018-a për opozitën do të jetë viti i bashkimit me shumicën e shqiptarëve për ta çliruar Shqipërinë nga krimi, njësoj si Kavajën. Entuziazmin e qytetarëve të Kavajës Lulzim Basha e përktheu si një rizgjim të shqiptarëve për të mos toleruar më aleancën e Edi Ramës me krimin, i cili e ka bazuar mbajtjen e pushtetit tek shkatërrimi i votës së lirë dhe reformës në drejtësi. Kreu i opozitës tha se ky është qëllimi pse Edi Rama shkeli Kushtetutën për të emëruar një kryeprokuror nën kontrollin e tij.
“Edi Rama i trembet hetimit deri në fund të Saimir Tahirit. Edi Rama i trembet, zbulimit, ekspozimit dhe më pas hetimit të lidhjeve të publikuara, të njohuara e akoma të paekspozuara të tij me politikanët e lidhur me krimin dhe të tij me vetë krimin.”-tha kryetari i Partisë Demokratike.
Lulzim Basha e barazoi qeverinë Rama me të keqen më të madhe qe i ka ndodhur vendit në këto 27 vjet, sepse për pushtetin dhe pasurimin e tij, ndërtoi Aleancën me Krimin, shndërroi Shqipërinë në hambar droge, shkatërroi ekonominë dhe varfëroi më shumë shqiptarët. Basha tha se është fakt që:
· 290 mijë shqiptarë vuajnë për ushqim, shifra më e lartë në Ballkan sipas Organizatës Botërore të Ushqimit.
· 30 % e familjeve, 1 në 3 familje shqiptare nuk paguajnë dot sot shportën ushqimore, ndërkohë që 2.5 milionë euro do të shpenzohen për të hequr palmat dhe për të vendosur pishat në segmentin Tiranë- Qafë Kashar.
· 39 % nuk paguajnë dot faturën e dritave dhe të ujit, ndërkohë që, vetëm 3 vitet e fundit, qeveria ka harxhuar për luksin e vet 140 milionë euro.
· 3 fabrikat e djegies së plehrave do t’u kushtojnë shqiptarëve 74 milionë euro në 2018-ën.
· 40 biznese mbyllen nga pamundësia për të paguar taksa, ndërkohë shqiptarët paguajnë, në vit, 1.5 miliardë euro më shumë taksa.
Basha tha se këto janë fakte të mjaftueshme që shqiptarët t’i bashkohen protestave për largimin nga qeverisja të Aleancës së Krimit, nëpërmhet të cilës Edi Rama synon të mos lejojnë të zgjedhin të lirë dhe t’i kërkojnë llogari për dështimet dhe korrupsionin.
“43 përqind e familjeve në këto ditë të ftohta dimri nuk sigurojnë dot ngrohjen, ndërsa vetëm për vitin 2017 Edi Rama shpenzoi 350 mijë euro për kondicionerë vetëm për kryeministrinë. Të gjitha janë produkt i një vendi që nuk ka më qeveri, por ka një bandë, nuk ka as një qeveri që sillet si bandë, por një bandë që pretendon të jetë qeveri. “- tha Basha.
Lulzim Basha inkurajoi shqiptarët t’i bashkohen protestave të opozitës për të treguar se e vetmja rrugë për të mundur krimin në qeveri dhe për të siguruar të ardhmen e familjeve të tyre është reagimi kundër të keqes dhe mbrojtja e dinjitetit.
“Le të jemi lajmëtarët e një viti të ri, që nuk do të nisë me demokratët dhe shqiptarët kokëulur, por do të nisë me Partinë Demokratike në ballë të protestave, me një premtim të madh, se ashtu siç bëmë në Kavajë, ne do ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe politikanët e inkriminuar, ne do t’i japim Shqipërisë një qeveri dhe elitë të pakorruptuar, me një të ardhme europiane dhe me një Shqipëri si gjithë Europa.”-u shpreh Basha në Kavajë. /abcnews.al