Pretendoi se ishte kërcënuar dhe mori mbrojtje nga KLGJ, gjyqtarja Arnisa Këlliçi merret si e pandehur

schedule15:10 - 7 Shkurt, 2024

schedule 15:10 - 7 Shkurt, 2024

Gjyqtarja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, Arnisa Këlliçi është marrë e pandehur për kallëzim të rremë, pas pretendimeve të saj se ishte kërcënuar me jetë.

Në një njoftim zyrtar, Prokuroria e Tiranës thotë se gjyqtarja do të hetohet për veprën penale kallëzim i rremë dhe falsifikim dokumentesh.

Disa javë më parë, Arnisa Këlliçi u paraqit në komisariatin numër 3 në kryeqytet, për të denoncuar një letër kërcënuese që i kishte mbërritur në zyrën e saj nëpërmjet postës. Por sipas organit të akuzës, letra rezulton se është shkruar nga vetë gjyqtarja Këlliçi.

Për këtë pretendim të saj, gjyqtarja kërkoi dhe mori mbrojtje të posaçme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Madje gjyqtarja shkoi edhe më larg me kërcënimin e supozuar, duke kallëzuar në prokurori edhe personin për të cilin kishte dyshime që fshihej pas letrës.

Arnisa Këlliçi u mor në mbrojtje për një afat 3-mujor nga Këshilli i Lartë Gjyqësor mbi bazën e kallëzimit të depozituar.

Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka vënë në dijeni sipas ligjit, Këshillin e Lartë Gjyqësor pas hetimeve paraprake ku rezulton se Arnisa Këlliçi ka shkruar vetë letër kërcënuese me qëllim marrjen e përfitimeve të cilat nuk i takojnë.

Njëkohësisht, Prokurorisë e Tiranës, ka shpallur moskompetencë dhe kalim të akteve në Prokurorinë e Durrësit, për ndjekje të mëtejshme.