Problemi i dosjeve të prapambetura (backlog) vijon të mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi, deklaroi se gjatë vitit 2025 backlog-u nuk është vetëm problem i gjykatave, por lidhet edhe me financat dhe burimet njerëzore të sistemit.
Sipas tij, kufizimet aktuale nuk krijojnë kushtet e nevojshme për zgjidhje në periudhë afatmesme dhe afatgjatë, ndërsa kërkohet rritje e buxhetit për të përballuar ngarkesën.
Nga ana tjetër, Rusi bëri të ditur se KLGJ ka ndërmarrë masa për plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor brenda dy viteve të ardhshme. Aktualisht, nga 417 magjistratë të parashikuar në total, 345 janë në detyrë.
Ndërkohë, 38 magjistratë po përfundojnë studimet në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa 42 të tjerë u emëruan në tetor.
Sipas tij, 20 magjistratë po ndjekin vitin e dytë të studimeve dhe vitin e ardhshëm do të kalojnë në vitin e tretë, ndërsa 10 të tjerë do t’i bashkohen sistemit në vijim. KLGJ po rishikon gjithashtu numrin e përgjithshëm të magjistratëve, me synimin që brenda dy viteve të mbyllen të gjitha vakancat ekzistuese.
Sa i përket Gjykata e Apelit, nga 78 magjistratë të parashikuar, aktualisht janë në detyrë vetëm 40, ndërsa 2 të tjerë janë pjesë e KLGJ-së. Për të adresuar mungesat, janë në proces shqyrtimi 26 procedura për ngritje në detyrë.
/abcnews.al/



