Këshilli i Lartë gjyqësor ka marrë masat e nevojshme për plotësimin e vakancave në sistemin gjyqësor deri në vitin 2028 tha Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ilir Rusi gjatë raportimit në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale
“Janë marrë masat për plotësimin e vendeve vakante deri në vitin 2028 bazuar në analizën e nevojave të sistemit. Gjatë vitit 2025 është rekomanduar emërimi i 42 gjyqtarëve të rinj, ngritja në detyrë e 11 gjyqtarëve, prej të cilëve tetë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe tre në Gjykatën Administrative të Apelit. Po ashtu, janë realizuar lëvizje paralele për 34 gjyqtarë dhe transferime të përkohshme për 17 të tjerë”, tha ai.
Rusi theksoi si emergjencë edhe gjendjen e godinave të gjykatave.
“Janë paraqitur kërkesa për fonde për ndërtimin e gjashtë godinave të reja, brenda planit afatmesëm buxhetor. Ndërkohë, godina e ish-Tatimeve po rikonstruktohet për nevojat e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”, shtoi ai.
Gjatë raportimit Rusi foli dhe për përmirësimin e metodologjisë së vlerësimit të gjyqtarëve, me fokus lehtësimin e procedurave për gjyqtarët që kanë kandiduar për ngritje në detyrë ose lëvizje paralele.
“Për vitin 2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka miratuar 59 vlerësime për 50 gjyqtarë, ndërkohë që nga fillimi i këtij procesi janë miratuar 249 vlerësime për 154 gjyqtarë. Është rritur numri i nëpunësve përgjegjës për vlerësimin për të bërë të mundur përshpejtimin e këtyre proceseve…”vijoi ai.
Një tjetër fokus i raportimit ishte mënyra e shpërndarjes së dosjeve gjyqësore. KLGJ theksoi se ndarja e çështjeve kryhet përmes shortit elektronik, me qëllim garantimin e barazisë në ngarkesën e punës pasi sistemi i ri siguron që çështjet të ndahen në mënyrë të balancuar.



