Niklas Sule dhe Lucas Hernandez detyrojnë Bayern Munich të mendojnë për një ndërhyrje në qendër të mbrojtjes. Dëmtimet e dy lojtarëve kryesore kanë bërë që të shikohet tregu i lojtarëve dhe në janar të vihet në dispozicion të trajnerit Niko Kovac një tjetër qendërmbrojtës.
Spox dhe Goal raportojnë se bavarezët i kanë hedhur sytë nga Spanja dhe është lojtari i Athletic Bilbao, Unai Nunez, ai që është në shënjestrën e kampionëve në fuqi të Gjermanisë. Menaxheri Giovanni Branchini, i cili njihet për lidhjet me Bayern, e ka kontaktuar lojtarin.
Nunez, kampion Europe me Spanjë U21, është ndjekur nga bavarezët prej kohësh dhe tanimë pritet të nisin sulmin për ta afruar lojtarin bask. Një detyrë e vështirë për të bindur klubin spanjoll, me të cilin 22-vjeçari ka një kontratë deri në vitin 2023. /abcnews.al