I dërguari i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të jetë të martën në Kosovë, ku do të bisedojë me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi, kryenegociator i Kosovës në dialogun e Brukselit.
Një ditë më parë, ai ishte në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, me të cilin përveç tjerash diskutoi edhe për hapat e ardhshëm në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Sipas zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, po i kryen këto vizita në Beograd dhe Prishtinë, në përpjekje për të çuar përpara dialogun.
“Bisedimet me presidentin Vuçiç në Beograd dhe me homologët kosovarë në Prishtinë, janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, theksoi Stano./abcnews.al