Data e El Clasicos është kthyer në mollë sherri. La Liga nuk ka pranuar vendimin e Federatës Spanjolle të Futbollit, që pranoi marrëveshjes mes Realit dhe Barcelonës për ta luajtur përballjen mes tyre më datë 18 dhjetor. Trazirat në Katalonjë sollën shtyrjen e El Clasico-s, që ishte në plan të zhvillohej më 28 tetor.
La Liga e ka apeluar vendimin e marrë, teksa e ka dërguar çështjen në gjykatë dhe në CSD (Agjencia qeveritare spanjolle, përgjegjëse për promovimin, planifikimin dhe zhvillimin e aktiviteteve fizike dhe sportive të çdo lloji).
La Liga ka sjellë argumentet e saj, teksa e konsideron shtyrjen shumë të madhe dhe që ndikon në shtrembërimin e klasifikimin e përkohshëm. Në deklaratën e tyre thuhet se ka një procedurë për përcaktimin e datës dhe sipas saj është 4 dhjetori data që duhej zgjedhur.
Arsyetimi vazhdon dhe theksohet se nuk ka asnjë rregull që u jep të drejtën klubeve ta përcaktojnë mes tyre datën e ndeshjes. “Klubet mund të vendosin të luhet edhe në ditën e fundit të kampionatit, që mund të ndikojë në integritetin e garës”, thuhet në argumentin e bërë nga La Liga.
Argumenti i tretë lidhet me anën ligjore, që sipas La Liga, Federata nuk ka të drejtë të vendosë për një ndeshje të tillë, që është shumë e rëndësishme në aspektin financiar dhe i prek të gjitha klubet. Dëmin që shkaktohet nga ky vendim, ata e konsiderojnë të pariparueshëm për futbollin spanjoll, ndërkohë që rreshtojnë të gjitha shkeljet që bëhen me anë të këtij vendimi që ka marrë Autoriteti i Konkurrencës në Federatën Spanjolle të Futbollit. /abcnews.al