Tre ndeshjet e IPKO Superligës së Kosovës kanë prodhuar fitore të ekipeve vendase, njësoj siç ndodhi në tre duelet e drekës në Superioren e Shqipërisë.
Gjilani triumfoi pastër kundër Llapit. Ekipi i Gentian Mezanit triumfoi 3-0 në shtëpi dhe udhëheq kampionatin dardan me 24 pikë pas javës së 11-të. Tomislav Busic zhbllokoi rezultatin në fund të pjesë së parë, ndërsa Bedri Greca dhe Gerhard Progni e vulosën atë në pjesën e dytë. Kjo ishte fitorja e katërt rresht për “Skifterat”, ndërsa ekipi nga Podujeva mbetet katër pikë larg kreut.
Me të njëjtin rezultat fitoi edhe Drenica në shtëpi. “Shqiponjat e Zeza” mposhtën Dukagjinin e vendeve të fundit dhe u rikthyen te fitorja pas tre barazimeve rresht. Van-Dave Harmon ishte autori i golit të parë. Sulmuesi nga Liberia shënoi në të dy pjesët, ndërsa Diar Mustafa ishte autori i golit tjetër të ekipit nga Skënderaj.
Trepça ’89 nuk fitonte prej tre ndeshjesh. Ekipit nga Mitrovica i mjaftoi një gol i Leart Eminit në pjesën e parë për të fituar në shtëpi kundër Ferizajt. Ky sukses e ngjit Trepçën në vend të tetë me 13 pikë, ndërsa ekipi i Bekim Isufit renditet një pozicion më poshtë më katër pikë më pak. /abcnews.al
Drenica – Dukagjini 3-0
(Harmon 25′, 88′, Mustafa 57′)
Gjilani – Llapi 3-0
(Busic 42′, Greca 72′, Progni 85′)
Trepça ’89 – Ferizaj 1-0
(Emini 17′)