NBA/ Fitojnë favoritët, Boston e Denver tregojnë “dhëmbët”, shkëlqejnë Harden e Durant

schedule11:56 - 22 Janar, 2024

schedule 11:56 - 22 Janar, 2024

Humbja e dy ditëve më parë ishte thjesht një aksident. “Jeshilët” e Boston Celtics kthehen shpejt te fitorja dhe e bën këtë duke treguar forcën në transfertën e Houston, të sigluar me nëntë pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 107-116.

Njeriu i suksesit për Celtics ishte Kristaps Porzingis, autor i 32 pikëve dhe në rolin e shënuesit më të mirë të ndeshjes. Nga ana tjetër, paraqitja e shkëlqyer e turkut, Alperen Sengun me tre shifra dopjo, 24 pikë, 12 topa në tabelë dhe 10 asist, nuk mjaftuan për Rockets.

Me këtë fitore, Boston forcon pozitat në vendin e parë në Lindje me 33 fitore dhe vetëm 10 humbje në këtë sezon të NBA.

Nuk ndalet as Denver, që në transfertën e Ëashington imponoi fitoren dhe rezultatin 104-113. Kampionët në fuqi të basketbollit amerikan iu falën edhe një herë serbit, Nikola Jokiç. “Shtatlarti” ballkanas shënoi 42 pikë, kapi 12 topa në tabelë dhe dha 10 asist për të marrë një tjetër bonus në garën personale për “Më të Mirin” e sezonit.

Në mbrëmjen e fundit të NBA festuan të dy pjesët e Los Anxhelese, pasi si Lakers, ashtu edhe Clippers triumfuan në sfidat e tyre. LeBron James dhe shokët e tij mundën thellësisht 134-110 Portlend. Për “The King” 28 pikë dhe 14 topa në tabelë, ndërsa shënuesi më i mirë për vendasit ishte D’Angelo Russell.

Në pjesën tjetër të Los Anxheles, Clippers mundën 125-114 Brooklyn Nets, me “yllin”, James Harden, që zhvilloi ndeshjen më të mirë të sezonit me 24 pikë dhe 10 asist, duke i dhënë një dorë suksesit të skuadrës së tij.

Një tjetër “yll” që shkëlqeu në mbrëmjen e fundit të basdketbollit amerikan ishte Kevin Durant. Me 40 pikë dhe 9 topa të kapur në tabelë, ai ndihmoi skuadrën e Phoenix, në fitoren e rëndësishme 117-110 kundër Indiana. /i.m /abcnews.al