Vëzhguesit e zgjedhjeve parlamentare dhe lokale në Serbi kërkuan në seancën e Komitetit Evropian të Bundestagut gjerman një hetim gjithëpërfshirës për manipulimet e supozuara zgjedhore.
Është në interesin gjerman dhe evropian që “mashtrimi masiv zgjedhor” të hetohet nga një mision i pavarur vëzhgues ndërkombëtar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), deklaroi Viola von Kramon, deputete e të Gjelbërve në BE. Pas seancës së Komisionit të Bundestagut, ajo mori pjesë dhe në debatin për Serbinë në Parlamentin Evropian.
Deputeti i të Gjelbërve në Bundestag, Boris Mijatoviç, i cili ishte edhe vëzhgues në zgjedhjet në Serbi, i raportoi Komitetit të Parlamentit gjerman për sulme ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë. Zgjedhjet i ka cilësuar si “jo të lira dhe jo të ndershme.” Dominimi i presidentit Aleksandar Vuçiç ka qenë shumë i madh, thotë Mijatoviç. Në të njëjtën kohë ai thekson se verifikimi i listave zgjedhore është i domosdoshëm, por jo i kryer nga gjyqësori serb. Deputeti i Gjelbër ka kujtuar se misioni ndërkombëtar mund të funksionojë, por vetëm me ftesë të shtetit, në këtë rast të Serbisë.
Linja: “Abuzim sistematik i institucioneve dhe ligjeve”
Para Komisionit të Bundestagut foli edhe Rasha Nedeljkov, drejtor programi i organizatës joqeveritare të Beogradit Crta (Qendra për Kërkim, Transparencë dhe Përgjegjësi). Ai u deklarua pro përsëritjes së zgjedhjeve, por edhe pro ndjekjes penale të shkeljeve të dokumentuara.
Siç thekson shërbimi për shtyp i Bundestagut në raportin nga sesioni i Komitetit Evropian, organizata Crta në analizën e saj paraprake ka konstatuar ndër të tjera se Partia Përparimtare Serbe (SNS) në pushtet e presidentit Vuçiç ka pasur avantazhe të padrejta. Nedeljkov informoi deputetët se SNS ka marrë 85 për qind më shumë kohë në televizion sesa partitë opozitare.
Ai thotë se mbi votuesit dhe anëtarët e administratës publike është ushtruar presion i madh dhe në Beograd janë sjellë njerëz nga e gjithë Serbia, por edhe nga vendet fqinje për të votuar në zgjedhjet lokale atje. Shumë prej tyre, siç shpjegon ai, u caktuan vendbanime jokorrekte, shpesh edhe inekzistente. Nedeljkov vlerësoi se bëhet fjalë për “keqpërdorim sistematik të institucioneve dhe ligjeve shtetërore” dhe përfundoi: “Nëse do të ishte e mundur të ndryshohej diçka në Serbi përmes zgjedhjeve, zgjedhjet atje do të ishin ndaluar shumë kohë më parë”.
Vala kundër vëzhguesve
Para Komisionit të Parlamentit gjerman foli edhe anëtari i Partisë Socialdemokrate të Austrisë (SPÖ) Andreas Schider, gjithashtu vëzhgues i zgjedhjeve. Ai ka raportuar se pas publikimit të raportit preliminar të vëzhguesve ndërkombëtarë, ai dhe kolegët e tij janë sulmuar masivisht dhe akuzuar se kanë gënjyer. “Ka shpërthyer një valë denigrimi,” tha ai. Për shkak të kësaj, beson Shider, Bashkimi Evropian duhet të rrisë presionin ndaj lidershipit serb dhe nuk duhet të veprojë sikur situata të ishte normale.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Unionit Demokristian (CDU) opozitar në Bundestag, Guenther Krichbaum, shprehu habinë e tij që, sipas Nedeljkov, njerëzit mund të votojnë më shumë se një herë, edhe pse çdo qytetar i Serbisë ka numrin e tij të identitetit. Ai gjithashtu vuri në dukje se është befasuese që BE dhe SHBA deri më tani janë përmbajtur nga reagimi.
Krichbaum: Kush janë donatorët e Crta?
Deputeti i CDU-s,ë Krichbaum tha se deri më tani nuk ka parë një pasqyrë të diferencuar të situatës, ndërsa më pas pyeti se cilët janë donatorët e Crta-s. Nedeljkov shpjegoi se organizata e tij është jopartiake dhe se i ka monitoruar zgjedhjet sipas rregullave dhe standardeve ndërkombëtare, me mbështetje financiare nga Britania e Madhe, SHBA dhe Suedia.
I pyetur nga deputeti i liberalëve në pushtet (FDP) An-Verushka Juris se deri në çfarë mase po ushtrohet presion mbi Crta për të ndryshuar raportin e saj, Nedeljkov u përgjigj se mediat në Serbi po përpiqen të minimizojnë rezultatet e para të hetimit të organizatës së tij.
Deputeti Harald Vejel i Alternativës për Gjermaninë (AfD) në opozitë foli për “specifikat rajonale”, por edhe për problemet në zgjedhjet serbe. Megjtihatë sipas tij, dhuna ka ardhur kryesisht nga opozita edhe në zgjedhje, thotë ai duke shtuar se në Serbi nuk kishte një alternativë ndaj partisë SNS në pushtet. Fakti që partitë opozitare kanë akses të kufizuar në mediat shtetërore i kujton, siç tha ai, “disa kushte në Gjermani”.
Deputeti i pavarur i Bundestagut, Andrej Hunko, vlerësoi se rishikimi i listave të votuesve nga BE-ja është një “procedurë e vështirë”. Ai beson se kjo detyrë duhet të jetë përgjegjësi e Zyrës për Institucione Demokratike dhe të Drejtave të Njeriut (OHDIR), institucionit qendror të OSBE-së për të drejtat e njeriut.
Partitë në pushtet presin hetim të pavarur
Pas mbledhjes së Komisionit Evropian të Bundestagut, tre përfaqësues të partive në pushtet kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët në të cilën kanë vlerësuar se “përshkrimet e vëzhguesve tregojnë qartë se zhvillimi i ngjarjeve në Serbi po shkon në drejtim të gabuar”. Deklarata e titulluar “Manipulimi zgjedhor në Serbi duhet të ketë pasoja” është nënshkruar nga Christian Petri (SPD), Chantal Kopf (të Gjelbërit) dhe Thomas Hacker (FDP).
Ata besojnë se “është koha që Komisioni Evropian të emërtojë deficitet demokratike në Serbi dhe të rishqyrtojë se si i trajton liderët politikë atje. Presim një hetim të pavarur dhe zbardhjen e të gjitha akuzave”, theksojnë deputetët.
“Zgjedhjet në Beograd duhet të përsëriten”
Në deklaratën e përbashkët vlerësohet se vëzhgimet më të rëndësishme nga Beogradi janë: “Në zgjedhjet për parlamentin e qytetit, opozita kishte shanse reale për të fituar”. Natyrisht, për këtë arsye, qytetarë nga pjesë të tjera të vendit, madje edhe nga vendet fqinje, u sollën në kryeqytet për të votuar. Për t’i dhënë njëfarë legjitimiteti, ata u raportuan në disa vendbanime të çuditshme, duke përfshirë ndërtesa të pabanueshme dhe shtëpi të braktisura.”
Prandaj, deputetët gjermanë shprehin dyshimin se rezultati i zgjedhjeve përputhet me vullnetin e vërtetë të votuesve: “Në këtë rast, zgjedhjet për Kuvendin e qytetit të Beogradit do të duhej të përsëriten”, theksohet në deklaratën e përfaqësuesve të partitë në pushtet gjerman./DW