SHQIPËRI– Greqia edhe njëherë ka vendosur të përdorë çështjen “Beleri” si argument për të krijuar një tjetër pengesë për Tiranën. Referuar medias greke “Kathimerini” Athina zyrtare po bllokon rrugën e një marrëveshjeje të Mbrojtjes dhe Sigurisë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.
Grekët propozuan Maqedoninë e Veriut si vendin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, pasi ajo ka treguar një performancë më të mirë sipas tyre në fushën e sundimit të ligjit.
Kërkesa e Greqisë për Maqedoninë e Veriut nuk u pranua, por edhe bllokimi i Shqipërisë qëndroi në fuqi. Në krah të Tiranës, sipas Kathimerinit, ishte Italia.
Avokati Romero Kara, i ftuar në “Ora e Fundit” në ABC News, tha se klima aktuale tregon se ka një acarim të marrëdhënieve dhe në këtë panoramë kanë ndikuar shumë çështje, mes të cilave dhe ajo e Fredi Belerit.
“Kemi një acarim të marrëdhënieve. Ka dhe një hatërmbetje, që në 2014, pasi u anulua ai koncesion që u dha nga Berisha për detin. Rama ka nota lavdëruese për politikën e jashtme. Po luan me reciprocitet me Greqinë. Beleri, është gjetja më e keqe pasi në 2003, është dënuar nga gjykata”, tha ai.
Ai komentoi kaosin e krijuar në Komisionin e Edukimit dhe Medias, ku protagonistë absolutë të skenave të zhurmshme dhe përplasjeve ishin Gazment Bardhi dhe Flamur Noka.
“Aty nuk kishte logjikë, mu dukën si zombie. Bardhi dhe Nika kanë rënë në nivelin e rrugaçërisë. Ata nuk duhet të kenë mandat deputeti për mua. Me atë qëndrim regresiv, përtej kohës ku jemi, ata nuk meritojnë të jenë qytetarë të lirë dhe jo më të premtojnë të sjellin vlerat e demokracisë”, theksoi avokati.
Gjatë diskutimit, avokati i njohur u shpreh se Berisha me shumë gjasë do të shkojë në SPAK për t’u marrë në pyetje për aferën e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.
Ai shtoi se shoqërueset e tij për në SPAK duhet të jenë police femra.
“Tani kemi të bëjmë me një njeri në kushte e paraburgimit, Nëse ai nuk paraqitet, atëherë ka dështuar SPAK. Duhet të ishte paraqitur në bazë të ligjit, brenda tre ditëve nga momenti kur masa është vendosur masa. Ka kaluar ky tre ditësh dhe unë kam dyshimet e mia se pse nuk është paraqitur. Do shoqërohet me makinë policie në SPAK dhe me policë dhe unë kam thënë se duhet të shoqërohet me dy police femra.”, shtoi ai./ abcnews.al