Pakistani ka lançuar disa raketa në drejtim të Iranit të enjten, duke vrarë të paktën nëntë persona, një ditë pasi Republika Islamike kreu sulme në territorin e Pakistanit.
Pakistani është arsyetuar se cak i këtyre bombardimeve ishin bazat e terroristëve në juglindje të provincës Sistan-Baluchestan në Iran. Tri gra, dy burra dhe katër fëmijë janë vrarë nga bombardimet, ka njoftuar televizioni i Iranit.
Ushtria çlirimtare Baluche, grup separatist, ka operuar në rajonin mes Iranit dhe Pakistanit që prej vitit 2000. Ushtria pakistaneze ka deklaruar se cak i raketave ishin edhe disa objekte të Frontit çlirimtar të Baluchistanit.
Bombardimet mes Iranit dhe Pakistanit janë bërë në kohën kur situata është përkeqësuar në Lindjen e Mesme. Njohësit e zhvillimeve në Lindjen e Mesme kanë thënë se Irani ka bombarduar Pakistanin pas raportimeve se Pakistani i është bashkuar koalicionit amerikan kundër rebelëve Houthi në Jemen.
“Kishte thashetheme se Pakistani i është bashkuar koalicionit amerikan kundër Houthëve dhe kjo nuk është e vërtetë. Ndoshta iranianët dëshiruan që t’i dërgonin mesazh Pakistanit, se nëse i bashkohen koalicionit amerikan – atëherë mund të kenë probleme”, ka thënë analisti pakistanez, Abdullah Khan.
Mirëpo ministri i Jashtëm iranian ka thënë se cak i bombardimeve nuk ishin pakistanezët.
“Sa i përket Pakistanit, asnjë shtetas i fqinjit dhe mikut tonë nuk ishte cak i sulmeve të Iranit. Një grup iranian terrorist kishte operuar nga territori i Pakistanit dhe kreu sulme ndaj iranianëve. Kemi folur me ushtrinë e Pakistanit. Reagimi ynë ishte ndaj terroristëve iranianë në Pakistan”, ka thënë Hossein Amirabdollahian, ministër i Jashtëm i Iranit.
Edhe shtetet fqinje kanë bërë thirrje për qetësim të situatës dhe shmangien e konfliktit. Irani ka insistuar se sulmi ishte shumë preciz dhe se cak ishin vetëm anëtarët e grupit Jaish al-Adl.
Irani të enjten ka thirrur përgjegjësinë e ambasadës së Pakistanit. Shteti pakistanez kishte tërhequr ambasadorin pas bombardimeve iraniane të martën.
Pakistani operacionin e së enjtes e kishte emërtuar si “Marg Bar Sarmachar”. Në gjuhën farse të Iranit, “marg bar” do të thotë “vdekje për” – frazë që u bë e njohur në Iran që prej Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe përdoret për SHBA-në e Izraelin. Në gjuhën lokale të Baluchëve, “sarmachar” do të thotë “guerilë” dhe përdoret nga militantët që operojnë në rajonin meskufitar.
Irani dhe Pakistani po përballen me presion të brendshëm politik. Iranit i është kërkuar të reagojë pas sulmit të ISIS-it dhe luftës së Izraelit me Hamasin dhe trazirave kundër teokracisë. Ndërkohë Pakistani po bëhet gati për zgjedhjet e muajit shkurt dhe ushtria mbetet forcë e madhe në politikë.
Anëtarët e lëvizjes Muslim Talba Mahtas duke protestuar kundër bombardimeve të Iranit në zonën kufitare të Pakistanit. Pakistani është hakmarrë me bombardime, por ka tensionuar situatën mes dy shteteve fqinje.