Greqia “bllokon” Shqipërinë në BE/ Propozon Shkupin për marrëveshjen e mbrojtjes, por unioni e rrëzon

schedule11:43 - 18 Janar, 2024

schedule 11:43 - 18 Janar, 2024

Greqia edhe njëherë ka vendosur të përdorë çështjen “Beleri” si argument për të krijuar një tjetër pengesë për Tiranën. Referuar medias greke “KATHIMERINI” Athina zyrtare po bllokon rrugën e një marrëveshjeje të Mbrojtjes dhe Sigurisë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Unioni është në proces të përshpejtimit të procedurave për nënshkrimin e marrëveshjeve me vendet e treta, që nuk i janë bashkuar ende Bashkimit Evropian, për të rritur bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Pak ditë më parë, në Bruksel u zhvillua një takim të nivelit teknik që kishte për synim konkretizimin e një sërë marrëveshjesh të mbrojtjes dhe sigurisë me vendet brenda dhe jashtë Evropës. Mirëpo, kur nisën diskutimet për Shqipërinë, Greqia e kundërshtoi.

Sipas Athinës zyrtare, Shqipëria, duke qenë një vend që dëshiron të anëtarësohet në BE, duhet të jetë në përputhje me acquis evropiane, e cila përfshin respektimin e shtetit ligjor si element bazë.

Grekët propozuan Maqedoninë e Veriut si vendin më të përshtatshëm për të lidhur një marrëveshje të mbrojtjes dhe sigurisë me BE-në, pasi ajo ka treguar një performancë më të mirë sipas tyre në fushën e sundimit të ligjit.

Kërkeaa e Greqisë për Maqedoninë e Veriut nuk u pranua por edhe bllokimi i Shqipërisë qëndroi në fuqi. Në krah të Tiranës, sipas Kathimerinit, ishte Italia.

Italia konsiderohet aleati më i madh i Shqipërisë, çka ka sjelle fërkime të forta mes Romës dhe Athinës.

Greqia në mënyrë të përsëritur ka insistuar për lirimin dhe betimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, madje duke paralajmëruar edhe bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Qeveria shqiptare ka thënë se kjo çështje i takon institucionit të drejtësisë./abcnews.al

 

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!