Organizata për të drejtat e njeriut, Amnesty International (AI), u ka bërë thirrje disa shteteve evropiane që “menjëherë të ndalojnë” transferimin e refugjatëve dhe azilkërkuesve nga Kaukazi Verior për në Rusi, duke u thirrur në rrezikun e torturës dhe keqtrajtimeve të tjera.
“Për shkak të identitetit të tyre fetar dhe etnik… komunitete të tëra janë cilësuar si ‘ekstremistë të dhunshëm’ që paraqesin kërcënim ekzistencial për sigurinë kombëtare, gjoja për të justifikuar kthimin e tyre në rajon ku të drejtat e tyre janë në rrezik të madh”, tha organizata përmes një deklarate të publikuar më 18 janar.
Një studim i fundit, i cituar nga AI gjeti se autoritetet në Kroaci, Francë, Gjermani, Poloni dhe Rumani “kanë ekstraduar ose kanë tentuar” të ekstradojnë apo dëbojnë azilkërkuesit nga Kaukazi Verior.
Grupe të ndryshme etnike jetojnë në Kaukazin Verior, përfshirë çeçenë, dagestanas dhe ingushë, shumica prej të cilëve janë myslimanë.
Nils Muiznieks, drejtor i Zyrës rajonale për Evropë i AI, tha se shtetet evropiane “duhet të kuptojnë se shumica e individëve që vijnë nga këto vende do të përballen me arrestim apo rrëmbim, torturë dhe keqtrajtime të tjera, apo do të përballen me rekrutim të detyruar sapo të kthehen”.
Ai tha se është “skandaloze” për shtetet evropiane “të kërcënojnë se do të dërgojnë në Rusi njerëzit nga Kaukazi Verior që i kanë ikur persekutimit” në vendin “ku këto shkelje kanë ndodhur”.
Njerëzve që po kërkojnë mbrojtje në Evropë duhet t’iu bëhet vlerësim i drejt i nevoja të tyre në dritë të situatës së keqe me të drejtat e njeriut në Rusi dhe luftës që po vazhdon në Ukrainë, shtoi Muiznieks.
Amnesty International po ashtu paralajmëroi se personat që kthehen në Rusi mund të dërgohen që të luftojnë në Ukrainë dhe ata që refuzojnë këtë apo tentojnë t’i ikin mobilizimit rrezikojnë të përballen me shkelje serioze të të drejtave të tyre.
Organizata theksoi se ka raporte të besueshme që minoritetet etnike në Rusi “në mënyrë disproporcionale po mobilizohen në forcat e armatosura”.
Amnesty International vlerësoi se situata me të drejtat e njeriut në Kaukazin Verior është “e tmerrshme” dhe ata që shprehim mendime kritike apo pjesëtarët e komunitetit LGBT veçmas janë në rrezik “që të shënjestrohen”.
Organizata për të drejtat e njeriut po ashtu paralajmëroi ndaj asaj që e përshkroi si “diskriminim dhe stigmatizim në Evropë të njerëzve nga Kaukazi Verior”./rel