UNICEF: 2017 të dhëna alarmante për sulmet mbi fëmijët

schedule15:33 - 28 Dhjetor, 2017

schedule 15:33 - 28 Dhjetor, 2017

Gjatë këtij viti janë shtuar sulmet ndaj fëmijëve në zonat e luftës si dhe numri i viktimave mes tyre. Sipas UNICEF, miliona fëmijë vuajnë nga uria, sëmundjet dhe traumat.

UNICEF-i bën të ditur në një raport të fundit se sulmet ndaj fëmijëve në zonat e luftës ne vitin 2017 shënuan shifra tronditëse. Drejtori i UNICEF-it, nënvizoi se fëmijët po shënjestrohen në shtëpi, shkolla dhe parqet e lojrave.

Raporti përmbledh disa nga zonat e luftës ku fëmijët kanë vuajtur më shumë gjatë vitit 2017. Bëhet fjalë për vende si Afrika Qendrore, ku fëmijët vriten, përdhunohen, rrëmbehen e rekrutohen nga grupet e armatosura. Në Nigeri e Kamerun, militantët e “Boko Haramit” detyruan të paktën 135 fëmijë të ndërmerrnin sulme kamikaze, ose rreth 5 herë më shumë se vitin e kaluar. Në Mianmar fëmijët rohingas vuajnë një dhunë të paprecedentë. Ndërsa në Sudanin Jugor, Jemen dhe Ukrainën lindore, 220 mijë fëmijë po jetojnë nën kërcënimin konstant të minave dhe pajisjeve të pashpërthyera në zonat e konfliktit.

Raporti i UNICEF bën të ditur gjithashtu se miliona fëmijë të tjerë nëpër botë vuajnë nga uria, sëmundjet dhe traumat si pasojë e luftrave.
Raporti denoncon edhe një mospërfillje flagrante ndaj ligjeve ndërkombëtare që synojnë mbrojtjen e fëmijëve.
Organizata e OKB-së i bëri thirrje palëve të përfshira në konflikte që të respektojnë detyrimet mbi bazën e ligjit ndërkombëtar, duke i dhënë menjëherë fund sulmeve ndaj fëmijëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!