Chelsea është në kërkim të një sulmuesi të ri dhe londinezët duan menjëherë të përforcohen në repartin e avancuar.
“Blutë” kishin Victor Osimhen në listën e dëshirave, por sulmuesi nigerian vështirë se do të largohet nga Napoli para merkatos së verës, për faktin se është i grumbulluar në përfaqësuesen e Nigerisë në Kupën e Afrikës.
Kështu, klubi anglez ka ndërruar objektiv dhe tani kanë bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin suedez të Sporting Lisbonës, Viktor Gyokeres.
Gazeta prestigjoze “Record” ka bërë me dije se Chelsea ka ofruar 80 milionë euro për lojtarin, plus 5 milionë të tjera bonuse. Megjithatë, Sporting ka refuzuar këtë ofertë, pasi nuk duan të largojnë yllin e tyre pa u paguar klauzola prej 100 milionë eurove.
25-vjeçari suedez është duke kaluar një formë të shkëlqyer në sezonin e tij të parë të Sporting, pasi në 24 ndeshje zyrtare, ai ka shënuar 20 gola dhe ka asistuar 10 herë. Vlera e tij është rritur ndjeshëm pa u bërë ende viti, pasi në verën e kaluar, Sporting e bleu për 20 milionë euro nga Coventry City, klub anglez në Championship./h.ll/abcnews.al