Ministri i Jashtëm, Igli Hasani, në konferencën që po mban me homologen kosovare, Donika Gërvalla, u pyet edhe për rrezikun e sulmeve të tjera si ajo që ndodhi në Banjskë pak muaj më parë. Hasani tha se Serbia duhet të heqë dorë nga loja qesharake duke dërguar ushtrinë në kufirin me Kosovën.
Hasani shtoi se garancia më e madhe e Kosovës është NATO dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate e padiskutueshme e saj.
“Kosova ka një aleat të përjetshëm, të padiskutueshëm që është Shqipëria. Në çdo moment, në të mirë dhe të keqe, Shqipëria do të jetë këtu pranë Prishtinës dhe shqiptarëve të Kosovës. Ne i ndjekim me vëmendje zhvillimet në rajon, në Kosovë. Bëjmë thirrje të gjitha aktorëve dhe faktorëve që jetojnë në shekullin 21, nuk i çojnë ushtritë fqinjit më tek kufiri por askush nuk duhet ta vazhdojë më këtë lojën qesharake sepse garancia më e madhe për integritetin dhe sovranitetin e Kosovës është NATO, ku edhe Shqipëria është pjesë”, tha Hasani./abcnews.al