Sulejman Starova vazhdon të analizojë ekipet e Superiores në studiot e ABC News, në emisionin Pressing. Pasi u ndalua te Teuta dhe Tirana, Bobi foli edhe për ekipet e Partizanit dhe Kukësit.
PARTIZANI – “Ky trajner (Lerda) ka ardhur dhe e ka gjetur skuadrën. Çfarë ka gjetur, ka plot lojtarë, ka me shumicë lojtarë të mirë. Trajneri donte kohën e tij, është në rrugën e duhur, skuadra mori tri pikët, fituesi nuk gjykohet. Probleme ende ka, por Lerda është në punë e sipër”.
FORMACIONI – “Harrojeni punën e boshtit. Ka 20 vite që ka humbur boshti i skuadrës. Kush është më në formë, luan me skuadrën. Është kampionat i ekuilibruar dhe në këto kushte, varet se kush ka brumë të mirë, ecën përpara në kohë të shkurtër. Tirana dhe Partizani e kanë këtë gjë, pasi kanë shumë cilësi në grup.
TRAJNERI – “Te Partizani, është ndërruar trajneri, erdhi nga Italia. Po bën një skuadër tjetër dhe po punon me mentalitetin e vet. Ka pasur problemet e veta, si ato me Asanin dhe Trashin, por fituesi nuk gjykohet. Partizanin e bënë sikur një skuadër që nuk ka harmoni, zihen në stërvitje, por shkon e fiton në Shkodër. Prandaj Partizani është në rrugë të drejtë, qëllimi është i përbashkët të ecin përpara. Asani ka qenë, është dhe do të jetë një lojtar kryesor i Partizanit”.
KUKËSI – “Kukësi vazhdon të jetë skuadër pretendente për të fituar kampionatin. Ka pasur ca probleme të vetat, ka pasur herë pas here dëmtime, siç ishte rasti i fundit me Limaj. Nuk ka luksin që ka Partizani apo Tirana, në kontingjent lojtarësh. Kukësi duhet të bëjë shumë më tepër, pasi nuk ka fushën apo publikun që ka Tirana apo Partizani. Do të jetë deri në fund të sezonit skuadër pretendente për të marrë kampionatin”.
LARGIMET – (Shameti, Cuculi, Rama) “Nuk pranoj të flas për largimet e disa lojtarëve. Ata kanë qenë lojtarë shumë të mirë, por nuk dua të prononcohem për këto tema, pasi nuk na lejohet në mënyrë profesionale. Kukësi ka një skuadër që i ka të gjitha mundësitë për të luftuar deri në fund për titullin kampion. Nuk ka presionin e publikut, por ka presionet e presidencës, pasi i duan rezultatet shpejt. Teqja është një lojtar shumë i mirë, universal, edhe Obanor duket një lojtar cilësor. Nuk mund të them se Shameti dhe Cuculi kanë qenë lojtarë më të mirë. Musolli është një lider që ka vite te Kukësi. Edhe Limaj ka identitet lideri. Emra si Abazaj, Gavazaj e të tjerë janë të frikshëm. Çdo skuadër ka oshilacionet e veta. Tirana ka pasur luhatje, Partizani po./abcnews.al