Albano Janku, specialist gjykimi në emisionin “Pressing” në “ABC News”, ka bërë moviolën për javën e tetë të Kategorisë Superiore. Ai ka kaluar në “lupë” të gjitha ndeshjet e kësaj jave dhe ka folur në lidhje me atë që ndodhi në Gjirokastër, ku nuk u lejua të bëhej zëvendësimi i Oshafit.
TEUTA-FLAMURTARI – “Ishte një ndeshje e qetë, arbitronte Alla. Janë vetëm dy momente për t’u parë. Momenti i parë ishte në minutën e 6-të, kur Kallaku pretendon për 11-metërsh. Është një simulim i Kallakut dhe Alla duhet të vërshëllente për një karton të verdhë për Kallakun. Në pjesën e dytë, është momenti i Vlorës, është Ribaj që kryen të njëjtin veprim. Shikojmë Ribajn që e ndjen se portieri afrohet te topi, por portieri vlonjat tregohet i zgjuar dhe largohet. Ribaj simulon dhe kur e kupton që nuk ka kontakt, ngrihet për të vrapuar. Duhet të ishte karton i verdhë dhe për Ribajn për simulim”.
TIRANA-LAÇI – “Kemi veçuar një moment, i pretendimit për penallti. Këtu arbitronte Beqiri dhe po të shkojmë me vëmendje, me pamjet e servirur, unë them që Beqiri ka vepruar drejtë dhe Hoxhallari ka larguar topin. Me pamjet që kemi, them se Beqiri ka vepruar drejt, pasi Hoxhallari ka larguar topin. Nuk është penallti”.
NGJARJA NË GJIROKASTËR – “Nuk e ndoqa ndeshjen në Gjirokastër, pashë më pas pamjet dhe u interesova. Kanë gabuar arbitrat, ndërrimi duhej bërë. Tabelat elektronike nuk u bënin dy ekipeve. Zyrtare janë fletët që i dorëzohen arbitrit të katërt. Duhej bërë ndërrimi. Te moshat nuk nxirret tabela, të gjithë e dinë këta. Në fushë komandon kryesori. Duhet të ketë tabela manuale”.
“Ka edhe një moment moviole për penallti. Arbitri ka vepruar drejt. Sulmuesi i Luftëtarit ka humbur ekuilibrin. Nuk e ka goditur. Momenti i dytë është një gol i anuluar për Luftëtarin. Është pozicion jashtë loje. Penalltia e Bylisit është momenti tjetër. Shikohet dora e lojtarit të Luftëtarit që e pengon kundërshtarin. Penallti dhe karton i verdhë, vendim i saktë”.
NDESHJA NË SHKODËR – “Një në minutën e 63-të. Topi preket me dorë, Telushi është me kurriz dhe nuk e sheh topin. Asnjë lojtar nuk e shikon toipin. Telushi nuk reagon dot. Topi u përplas te Boldor dhe Telushi s’e ka parë.”
GOLI I SKËNDERBEUT – “Është një gol i anuluar për ekipin e Skënderbeut. Me gjithë pozicionim jo fort të mirë të asistentit, mendoj se ka vepruar mirë duke ngritur flamurin. Është offside, pse? Ky është një pozicion i parregullt dhe unë po jap mendimin tim. Ky është një moment VAR-i. Po të shikoni vijën e 16 metërshit, mendoj se sulmuesi korçar është më i avancuar se mbrojtësi i Kukësit. Është shumë rast i vështirë., përfundoi Janku. /abcnews.al