Mesfushori i Juventusit, Adrien Rabiot, me shumë gjasa do të largohet në muajin janar. Francezi iu bashkua Juventusit vetëm në merkaton e verës, por që tani po mendon largimin nga Torino. 23-vjeçari erdhi me parametra zero nga ekipi i PSG-së dhe pritej të ishte një nga lojtarët kryesorë në mesfushë, por ky repart te Juventusi është i mbingarkuar.
Prandaj, agjenti i Rabiot dhe vetë futbollisti kanë vendosur të largohen në huazim 6-mujor. Ndryshe nga Rabiot, mesfushori tjetër, Emre Can, po mendon seriozisht largimin përfundimtar. Minutat për gjermanin kanë qenë me pikatore dhe me shumë gjasa, do të rikthehet në Premier League, pasi e kërkon ekipi i Manchester United.
Një tjetër lojtar që pritet të largohet në janar nga Juventusi është edhe sulmuesi Mario Mandzukic. Kroati nuk po gjen aspak hapësira dhe së bashku me Can, mund të “shtegtojë” drejt Premier Leagues angleze./abcnews.al