Janë dy variante nëpërmjet të cilave Albin Kurti mund të realizojë dëshirën e tij që në kabinetin e tij qeveritar të mos ketë ministër nga Lista Serbe. Kjo parti e komunitetit serb në Kosovë, funksionon me direktiva të Beogradit, por që ka fituar 10 vendet në Kuvend aq sa janë të rezervuara për serbët.
Prej ditës kur ka shpallur fitoren e partisë në zgjedhjet e 6 tetorit, Albin Kurti, ka përmendur faktin se nuk do që në kabinetin e tij qeverisës të ketë një ministër nga Lista Serbe.
Ai thotë se ministri do të jetë serb por jo i kësaj liste, deklaratë kjo e cila ka bërë bujë të madhe dhe po konsiderohet si e pamundur në Kosovë.
Në bazë të kushtetutës së Kosovës kabineti qeveritar duhet të ketë një ministër të komunitetit serb dhe një të komuniteteve të tjera, në marrëveshje me komunitetet në fjalë të përfaqësuara në Kuvend.
Neni 96 pika 5 e Kushtetutës thotë se nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve për këta ministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të kuvendit që u përkasin partive apo koalicioneve të cilët janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin në fjalë.
Në këtë rast i bie që 6 deputetë të Listës Serbe duhet të votojnë për kandidatin serb për ministër që e propozon Kurti.
Megjithatë politologu Ramush Tahiri thotë se Kurti mund të propozojë një emër që nuk e do lista serbe dhe ta hedh atë në votim edhe pse do të refuzohet nga shumica e deputetëve të kësaj liste.
“Nëse nuk i merr ai refuzohet,qeveria vazhdon punën dhe kandidohet një tjetër kandidat nuk është e kufizuar me kushtetutë se sa herë shkon”, tha politologu Ramush Tahiri.
Sipas tij kjo ministri mund të funksionojë edhe pa ministër dhe të udhëhiqet nga zëvendësiministri. Por ai përmend edhe variantin e dytë që mund të shfrytëzojë Kurti.
“Kushtetuetshmërisht kryeministri mund ta emërojë një ministër qe e propozon Lista serbe dhe atë ta shkarkojë ne herën e parë që e bën një gabim, e ai nuk e pranon shtetësinë e Kosovës. Kurti mund ta shkarkojë atë dhe në emërimin e ministrit të dytë nuk vlen procedura e njëjtë”, tha ai.
Lista Serbe ka fituar mbi 98 % të votave ndonëse nga vëzhguesit e BE-së është akuzuar se ka pasur garë jo të drejtë karshi partive të tjera joserbe. Kjo Listë është formuar në marrëveshjen e Brukselit dhe ka përkrahjen direkt të Beogradit për çka edhe Albin Kurti po refuzon të bashkëpunoj me të./abcnews.al