Rikthehen në shtëpi tre të rinjtë/ Dëshmon njëri prej tyre: Shkak për dhunën mund të jetë bërë flamuri në makinë

schedule14:34 - 7 Janar, 2024

schedule 14:34 - 7 Janar, 2024

Tre të rinjtë shqiptarë, që u dhunuan në Mal të Zi kanë mbërritur në Shqipëri, mëngjesin e së dielës.

Një prej të dhunuarve Klodjan Meaj në dëshminë e tij për autoritetet shqiptare ka rrëfyer momentin e sulmit dhe ka deklaruar se kanë pasur një flamur shqiptar në makinë, ndërsa kërkon që të zbardhet ngjarja.

 “Sapo kemi ndaluar një grup personash kanë ardhur dhe kanë goditur automjetin në të cilin ndodheshin. Dolëm jashtë sepse nuk po kuptonim çfarë po ndodhte dhe na goditën edhe ne duke na dhunuar fizikisht pa asnjë shkak dhe pa asnjë arsye. Ne ishim duke komunikuar më zë fare të ulët brenda makinës dhe nuk kishte asnjë shkak, asnjë provokim nga ana jonë. Sapo dolëm nga makina na goditën edhe ne dhe më pas u larguan. Unë në automjet kam një flamur shqiptar në pasqyrë, është një flamur i vogël. Nuk e di nëse është kjo arsyeja pasi automjeti është me targa gjermane dhe jo shqiptare.”

Më herët të rinjtë kanë dhënë deklarimet e tyre për autoritetet malazeze në prani të një avokati dhe përfaqësuesve të ambasadës shqiptare në Malin e Zi.

Me dëshirën e tyre ata janë nisur drejt kufirit me Shqipërinë. Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, ata janë shoqëruar në kufi nga policia malazeze, për arsye sigurie.

Në Muriqan të rinjtë janë pritur nga autoritetet tona, ndërsa i kanë shoqëruar në spitalin rajonal të Shkodrës ku kanë kryer të gjitha kontrollet mjekësore.

Sipas mjekut Astrit Lahi dy prej tyre kishin dëmtime më të rënda. Pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar nga spitali.

“Rreth orës 06.00 të mëngjesit kanë paraqitur në spitalin e Shkodrës. Gjendja e tyre e përgjithshme dukej e mirë. Janë evidentuar trauma në kokë, trup dhe pjesën e fytyrës. U kryen të gjitha ekzaminimet dhe nuk rezultuan me probleme të rënda. Qëndruan 4 orë dhe janë dërguar në shtëpi. Nuk kishin probleme neurologjike”.

Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaçi u dhunuan barbarisht të shtunën e 6 janarit. Ngjarja ndodhi në Herceg Novi, në fshatin e quajtur Zelenika.  Të rinjtë sapo kishin zbritur nga trageti dhe po lëviznin me një automjet me targa gjermane, në momentin që u sulmuan./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!