“Superkupa meritë e Galtier”, Luis Enrique habit me deklaratën pas trofeut të parë te PSG

schedule16:16 - 4 Janar, 2024

schedule 16:16 - 4 Janar, 2024

Mund të thuhet se kemi hyrë zyrtarisht në “epokën” e Kylian Mbappe, me “yllin” e sulmit, që i kanë mjaftuar vetëm 3 ditë nga viti kalendarik, për të fituar trofeun e parë sezonal, atë të Superkupës së Francës, si dhe të vendosë një rekord të ri, duke u bërë i pari futbollit, në histori, i cili arrin të shënojë plot 111 gola, në “mitikun” francez, “Parc des Princes”.

Tepër i lumtur pas fitimit të trofeut të tij të parë, në stolin e Paris Saint-Germain u duk të ishte edhe spanjolli, Luis Enrique, i cili në konferencën të shtyp, të zhvilluar pas ndeshjes shprehu haptazi gëzimin e tij, por habiti jo pak të pranishmit, pasi meritën kryesore për titullin ja kushtoi ish-teknikut, Christophe Galtier.

“Fillimisht dua të falënderoj zotin Galtier për punën e bërë përpara se unë të vija këtu, gjithashtu edhe lojtarët, sepse falë tyre unë jam këtu. Personalisht jam shumë i lumtur, për trofeun e fituar, por edhe për tifozët sepse e kuptova që u lumturuan. Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, më pas, në pjesën e dytë toleruam disi, por më vjen mirë edhe për faktin që nuk pësuam.

Skriniar? Jemi në pritje, nuk e di ende shkallën e dëmtimit të tij. Ajo çfarë më pëlqeu ishte pritja e publikut për brazilianin Beraldo, ka personalitet dhe cilësi shumë të mira, Parisi dhe jo vetëm do të dashurohen pas tij”,- u shpreh gjatë konferencës tekniku spanjoll, i cili nuk mund të linte pa “cekur” as debutimin e talentit brazilian, me “gjigantët” e Ligue 1. /i.m /abcnews.al