Kandidati për kryeministër në Kosovës, Albin Kurti e cilëson padrejtësi vendimin e Këshillit Europian për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Sipas Kurtit të dy vendet e kanë merituar, ndërkohë që ka apeluar që të bëhet kujdes me Shengenin ballkanik.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja dhe kandidati kryesor për kryeministër në Kosovë, Albin Kurti e cilëson të padrejtë vendimin e Këshillit Europian për të mos çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Nga Tirana ku takoi dhe falenderoi për angazhimin në zgjedhjet e 6 tetorit qendrën e Lëvizjes në Tiranë, Kurti bëri thirrje për një kujdes me Minishengenin Ballkanik.
Në Kosovë pritet të marrë jetë brenda pak ditësh qeveria e re e dalë nga zgjedhjet e parakohshme. Kurti e cilësoi të pashmangshëm koalicionin me LDK-në, ndërkohë që konfirmoi se po formatohet kabineti i ri qeveritar dhe po harmonizohen programet.
Kurti do të presë të marrë zyrtarisht detyrën e kreut të qeverisë për të mbajtur edhe një takim me kryeministrin Rama, ndërkohë që për të është e rëndësishme që marrëdhëniet mes shqiptarëve të forcohen edhe më shumë./ABC News Albania