Gripi është përhapur në të gjithë vendin. Rreth 12 mijë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes javën e fundit. Megjithë këtë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik parashikojnë rritje të të prekurve deri në fillim të shkurtit.
“Mbizotëron qarkullimi i viruseve të gripit me prirje në rritje. Piku i infeksionit të gripit arrihet nga fundi i muajit janar dhe fillimi i shkurtit”, tha epidemiologu Artan Simaku.
Ashtu si në të gjithë Europën dhe në Shqipëri në qarkullim janë virusi I tipit A dhe B. Gripi ka prekur çdo moshë. Aktualisht po shfaqet me shenja të lehta dhe mesatare.
“S’ka pasur forma të rënda dhe shtrime në spital. Tipike temperaturë, dhimbje muskujsh, ata me sëmundje shoqëruese mund t’i agravojë sëmundjen shoqëruese“.
Mjekët nuk përjashtojnë komplikacionet prej tij dhe i bëjnë thirrje për kujdes kryesisht të sëmurëve kronikë, të moshuarve dhe fëmijëve.
Numri i të prekurve nga infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes ka ardhur në rritje nga një javë në tjetrën megjithë këtë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se situata ishte e pritshme dhe normale për stinën./abcnews.al