Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare do të jetë fokusi i takimit të sotëm të udhëheqësve politikë të Maqedonisë me presidentin Stevo Pendarovski. Shumica e partive politike janë në favor të zgjedhjeve të parakohshme të kërkuara nga kryeministri Zaev, por opozita kërkon që në zgjedhje të shkohet me qeveri dhe kryeministër teknik.
Takimi i sotëm mbahet me nismën e Presidentit Stevo Pendarovski, pasi Maqedonia e Veriut nuk arriti të marrë një datë për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Zoti Pendarovski ka marrë përgjigje pozitive nga të gjithë liderët e partive më të mëdha në Kuvend, nga pushteti dhe opozita të cilët mbështesin shkuarjen ne zgjedhje të parakohshme.
Koalicioni qeveritar i sheh zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për të rikonfirmuar besimin e qytetarëve për të vazhduar me reformat ndërsa opozita si një mundësi për të përkthyer në votë pakënaqësinë e tyre lidhur me mos-mbajtjen e premtimeve për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
Kryeministri Zaev e quajti gabim historic vendimin e BE-së dhe nënvizoi se kërkon zgjedhje të parakohshme kuvendare, ku qytetarët do të zgjedhin se në cilën rrugë do të shkojnë. Zaev është konsultuar për zgjedhjet e parakohshme edhe me partnerin e tij shqiptar të koalicionit qeveritar Ali Ahmeti.
Kryetari i partisë më të madhe opozitare VMRO DPMNE, Mickoski pret që në takimin e liderëve të arrihet marrëveshje që qeveria dhe zoti Zaev të japin dorëheqjen dhe të krijohet një qeveri teknike që do ta çonte vendin në zgjedhje. Mickovski kërkon që të shpallen menjëherë zgjedhjet e parakohshme dhe të formohet një qeveri teknike me kryeministër teknik.
LSDM, partia e zotit Zaev ka reaguar duke thënë se Mickoski dëshiron t’u ikë zgjedhjeve.
Ndërsa Ali Ahmeti, partneri shqiptar i koalicionit aktual, ka theksuar se zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë pas dështimit të marrjes së dates për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
Dy partitë e tjera kanë ndryshime në qëndrimet e tyre. Aleanca për shqiptarët ka thënë se është lajm i mirë që do të ketë zgjedhje të parakohshme ndërsa Lëvizja Besa mbështet mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme me Qeveri teknike./abcnews.al