Të paktën 12 persona u vranë dhe 39 të tjerë u plagosën në një shpërthim në një fabrikë të përpunimit të nikelit të financuar nga Kina në Indonezinë lindore të dielën.
Aksidenti ndodhi rreth orës 05:30 (me orën lokale, 22:30 mbrëmë me orën shqiptare) në një fabrikë të PT Indonesia Tsingshan Stainless Steel në Parkun Industrial Morowali që ndodhet në ishullin Sulawesi.
“Numri aktual i të vdekurve është 51. Dymbëdhjetë persona janë vrarë në aksident. Janë 39 persona me lëndime të lehta ose të rënda”, tha përfaqësuesi i kompanisë industriale, Dedi Kurniawan, në një deklaratë, duke shpjeguar se në mesin e të vdekurve janë shtatë indonezianë dhe pesë të huaj, pa specifikuar kombësinë e tyre.
Sipas të dhënave fillestare të hetimit, shpërthimi ka ndodhur gjatë punimeve të riparimit të një furre shpërthyese, kur një lëng i ndezshëm ka marrë flakë dhe zjarri është përhapur në rezervuarët e oksigjenit të cilët kanë shpërthyer.
Ishulli Sulawesi është një qendër kryesore e prodhimit të nikelit, një material i përdorur kryesisht në bateritë e automjeteve elektrike dhe për të bërë çelik inox. Kina ka investuar shumë në fabrikat në rajon, por ankesat për kushtet e punës atje janë të zakonshme./abcnews.al