Lufta mes Turqisë dhe kurdëve, arsyet dhe shkaqet e sulmeve

schedule19:00 - 19 Tetor, 2019

schedule 19:00 - 19 Tetor, 2019

Ankaraja vendosi për një armëpushim pesë ditor në veri të Sirisë pas takimit të presidentit turk Erdogan me zv/presidentin amerikan Pencë dhe sekretarin amerikan të shtetit Pompeo. Uashingtoni premtoi se nëse armëpushimi do të zgjasë atëherë do të hiqen sanksionet. Por përse Turqia e mbron kaq shumë sulmin në veri të Sirisë?

Përgatiti Dorina Kurtaj – Lufta mes Turqisë dhe militantëve kurdë që kontrollonin deri pak kohë më parë veriun e Sirisë shkaktoi shumë viktima mes kurdëve, sipas të dhënave zyrtare të Ankarasë. Ushtria turke ka marrë nën kontroll disa zona, ndërsa militantët kurdë akuzojnë turqit se kanë përdorur armë jo konvencionale. Lufta e Turqisë kundër kurdëve në veri të Sirisë nisi me militantët e YPG që i kërkuan ndihmë Rusisë pas asaj që e konsideruan tradhti të shteteve të bashkuara të amerikës me të cilët në vitet e fundit kishin luftuar së bashku kundër ISIS.

Qëllimi i Ankarasë mbetet krijimi i një zone neutral përgjatë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë në territorin e pasur me naftë që për momentin kontrollohet nga militantët kurdë pas shkatërrimit të kalifatit të ISIS. Prej kohësh Erdogan flet për domosdoshmërinë e realizimit të një zone sigurie për të mbrojtur Turqinë nga kërcënimi terrorist i kurdëve, të cilët shprehen të gatshëm për gjithçka vetëm për të mbrojtur territorin e tyre.

Pas braktisjes së trupave amerikane të zonës, nisën menjëherë operacionet ushtarake nga ana e Ankarasë e cila mori nën kontroll qytetin sirian Ras al-Ain që gjendet në kufi me Turqinë. Objektivi i ushtrisë turke ishte marrja nën kontroll e qyteteve strategjike të Manbij dhe Kobane.

Bilanci tragjik flet për më shumë se 500 militantë të vrarë, ndërsa ende nuk ka një shifër zyrtare për viktimat në radhët e civilëve apo ushtrisë turke. Përveç akuzave për përdorim të armëve kimike, bombardimet nga ana e aviacionit turk bëjnë të vështirë që mjekët dhe personeli shëndetësor të mbërrijë në zonë.

Sipas të dhënave të organizatave jo qeveritare janë më shumë se 250 mijë kurdët që kanë braktisur banesat e tyre dhe janë drejtuar për në Raka, ish kryeqyteti i vetëshpallur i ISIS që tashmë kontrollohet nga kurdët.

Nga burime jo zyrtare bëhet e ditur se janë me qindra xhihadistët e arratisur nga burgjet kurde, për momentin flitet për 700 terroristë, meqenëse ata që i ruanin kanë shkuar në kufi në përpjekje për t’i rezistuar avancimit të Ankarasë.

Ndërsa komuniteti ndërkombëtar në mënyrë unanime dënoi pushtimin e urdhëruar nga Erdogan duke kufizuar shitjen e armëve për Turqinë, bëri bujë lajmi për vrasjen e aktivistes së njohur kurde, e cila u ekzekutua nga militantët filo-kurdë së bashku me tetë civilë të tjerë.

Ndërsa në vitet e fundit i është dhënë prioritet luftës kundër kalifatit, tashmë që ISIS në Siri është mundur dhe pse ka disa xhihadistë që ende rezistojnë, në zonë janë rikthyer problematikat e vjetra që ekzistonin para vetëshpalljes së Shtetit Islamik.

Mes konflikteve të ndryshme ai mes Turqisë dhe kurdëve i ka rrënjët e thella në kohë, më çështjen e tyre që nuk është zgjidhur asnjëherë me të vërtetë që nga koha e pasluftës.

Me traktatin e Lozanës u anulua mundësia e krijimit të një shteti autonom të Kurdistanit. Pas një diskriminimi disa vjeçar, në vitet’80 me krijimin e PKK kurdët nisë një revolt të armatosur dhe që zgjati deri në vitin 2001. Një revoltë që shkaktoi me mijëra viktima në të dy frontet.

Veriu i Sirisë deri pak ditë më parë ka qenë në duart e YPG, militantët kurdo sirianë të unitetit për mbrojtjen popullore, që nisi negociatat me Damaskun për ta kthyer vendin në një lloj shteti federal duke përfituar në këtë mënyrë një autonomi të rëndësishme nga qeveria qendrore e Asad.

Një ide që e tremb Turqinë e cila nuk do krijimin e një territori të ligjshëm në duart e kurdëve, përgjatë kufirit të saj. Por çdo ide pushtimi deri më sot ishte ndaluar nga veto-ja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në zonën kurde të Sirisë ndodhen pothuajse të gjitha rezervat e naftës të vendit, kontrolli i të cilave tashmë mund të kalojë në duart e Damaskut, vetëm nëse do të ndalohet avancimi i ushtrisë turke

Por a ka në të vërtetë dhe një arsye financiare sulmi i Turqisë në veri të Sirisë?

Ndërhyrja e ushtrisë turke në verilindje të Sirisë është vetëm kapitulli i fundit i një lufte të gjatë dhe të tmerrshme. Më shumë se 500 mijë të vrarë, më shumë se 6 milionë të shpërngulur dhe pothuajse aq refugjatë, është bilanci tragjik i konfliktit të nisur në vitin 2011.

Sot viktimat janë kurdët; siguri kombëtare dhe lufta ndaj terroristëve janë objektivat e shpallur nga Turqia por sipas ekspertëve në lojë është një biznes prej 27 miliard dollarësh.

Brenda pak ditësh janë 100 mijë civilët që janë shpërngulur nga qytetet me mazhorancë kurde. Erdogan këmbëngul se do të rikthejë të paktën dy milionë refugjatë sirianë, aktualisht në Turqi, në zonën e sigurt në kufi me një gjatësi 480 kilometra deri në Irak, dhe 30 kilometra të gjerë, aktualisht të administruar nga kurdët.

Qeveria turke ka prezantuar tashmë projektet për fshatrat, shkollat, xhamitë dhe spitalet që do të ndërtohen për të pritur rikthimin në atdhe të refugjatëve. Një projektligj prej 27 miliard dollarësh për të cilin presidenti turk ka kërkuar dhe kontributin e Bashkimit europian.

Para se të shohë realizimin e projekteve të saj, Ankara duhet të mundë ata që i konsideron si terroristë të urryer kurdë. Kur luftëtarët e Kalifatit luftonin për të marrë nën kontroll Kobane apo Tal Abiad, përgjatë kufirit turko – sirian, të vetmit që morën armët në dorë për t’i luftuar ishin burrat dhe gratë e Ypg, trupa vullnetarë të cilëve iu bashkuan dhe qytetarë nga e gjithë bota.

Luftëtarë që paguan një çmim të shtrenjtë për të çliruar qytetet e tyre nga ekstremistët islamikë. Justifikimi i presidentit turk në fund nuk befason dhe aq shumë. E gjithë lufta siriane u konsumua nëpërmjet logjikës së luftës kundër terrorizmit.

Presidenti sirian Assad ishte i parë që përdori forcën për të masakruar popullin e tij I cili u rebelua kundër dekadave të pushtetit absolute. Arsyeja zyrtare? Rebelët janë terroristë dhe duhen asgjësuar. Pak rëndësi ka nëse në mes ishin dhe qindra mijëra sirianë, të vrarë pa mëshirë dhe me përdorimin e armëve kimike.

Pjesëmarrja e Rusisë pranë Damaskut ndoqi të njëjtin skenar: edhe për Moskën, arsyeja e ndërhyrjes së saj ishte lufta ndaj grupeve xhihadiste. Por nën bomba përfunduan dhe spitale, qendra të banuara dhe shkolla.

Në fund koalicioni ndërkombëtar i drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që rrafshoi Raka-n, për të mundur të vetëshpallurin shtet islamik. Dhe tani Erdogan i cili nuk heziton të përdorë avionë dhe artileri kundër popullsisë kurdo siriane. Çdo gjë në emër të sigurisë kombëtare.

Turqia ka luajtur një rol vendimtar në luftën siriane. Në fillim të protestave kundër Assad, Ankara mbështeti krijimin e ushtrisë së lirë siriane. Grupe rebelësh të cilat u mbështetën financiarisht dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fuqitë e Gjirit Persik me miliarda dollar dhe armatime.

Objektivi ishte vetën një: rrëzimi nga pushteti i Bashar al Assad. Do të ishte ndërhyrja e Rusisë në shtator 2015, që do të spostonte situatën në favor të presidentit sirian. Turqia ndër të tjera akuzohet se nuk bën asgjë për të ndaluar kalimin e mijëra luftëtarëve të huaj, që mbërritën në Siri për të luftuar përkrah xhihadistëve të ISIS.

Ushtria turke ka ndërhyrë në vend dhe në raste të tjera: me operacionin Mburoja e Eufratit në vitin 2017 dhe Dega e Ullirit një vit më pas. Përveç ofensivave ushtarake Erdogan ka qenë shumë aktiv dhe në frontin diplomatik. Së bashku me Rusinë dhe Iranin, fuqitë e tjera të përfshira në luftën siriane, ka firmosur marrëveshje të cilat duhet të kishin vendosur paqen në vend.

Takimi i fundit trepalësh u mbajt në Shtator të 2019-s, ndërsa diskutohej për një armëpushim në provincën verilindore të IDLIB, bastioni i fundit ende në duart e militantëve anti-Asad, ku prej muajsh konsumohej një luftë e përgjakshme.

Duke lënë mënjanë këndvështrimin ushtarak, lëvizja e Erdogan, të paktën në planin politik ka nxjerrë fitues dhe humbës. Fituesi i parë është ai vetë duke i imponuar botës pushtimin e verilindjes së Sirisë. Por dhe qeveria siriane del më e fortë. Bashar Al Asad në fakt mund të negociojë një marrëveshje të mirë me kurdët duke përfituar nga dobësia e tyre aktuale.

Me përfitime do të dalin dhe Rusia e Iran, të kënaqur me vendimin e Trump për tërheqjen e trupave ushtarake amerikane nga Siria. Nga njëra anë presidenti amerikan kishte deklaruar që në Dhjetor të 2018-ës se pas zhdukjes së ISIS, rreth 2 mijë ushtarët e vendosur në vend do të ktheheshin në shtëpi. Por vendimi shkaktoi pakënaqësi dhe mes anëtarëve të vetë partisë republikane.

Në fund ekziston rreziku i rishfaqjes së shtetit islamik që mund të përfitojë nga situate për të rilindur sërish, ashtu si paralajmërojnë shumë analistë. Dhe xhihadistët që mbaheshin të burgosur nga kurdët, bëhet fjalë për rreth 12 mijë ekstremistë islamikë, nga të cilët një e katërta luftëtarë të huaj, mund të përpiqen të arratisen.

Bashkimi Europian në këtë krizë, ashtu si dhe gjatë viteve të luftës në Siri, dëshmoi dhe njëherë se është e pamundur të flasë me një zë të vetëm dhe se nuk ka një politikë të jashtme të fortë dhe të vendosur.

Protestat ndaj ofensivës turke u bënë në mënyrë të veçuar nga kancelaritë dhe qeveritë europiane. Franca, Gjermania dhe Holanda ndaluan shitjen e armëve për Turqinë, por kjo nuk duket se lë shumë përshtypje tek presidenti Erdogan.

Në rrezik është dhe administrate kurde në rajonin e Rojava. Modeli i konfederatës demokrate, rrëzimi i poligamisë, roli i gruas në jetën sociale dhe politike, ekologjia, të gjitha këto progrese të vështira për t’u arritur në Lindjen e Mesme, rrezikojnë të fshhen si pasojë e ndërhyrjes ushtarake turke.

I humburi i madh dhe i vërtetë në fund mbetet populli siriani cili prej më shumë se tetë vitesh e gjysmë njeh vetëm luftë dhe shkatërrim. Dhe njëherë më shumë burra, gra dhe fëmijë janë të detyruar të braktisin shtëpitë e tyre për t’u arratisur nga dhuna që i persekuton.

Vetëm pak ditë pas sulmeve ushtarake turke në Siri, mund të kuptohet qartë se kush është fituesi më i madh në këtë situatë, i cili për më tepër nuk është I përfshirë në konflikt: Vladimir Putin.

Presidenti rus është përfituesi i madh i destabilizimit të shkaktuar nga ndërhyrja turke në verilindje të Sirisë. Që nga mbrëmja e 18 tetorit, forcat e regjimit të Bashar Al Asad, i shpëtuar pesë vjet më parë nga Putin, kanë hyrë në disa qytete që kontrolloheshin nga luftëtarët kurdë.

Të braktisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurdët iu drejtuan të vetmes alternativë të mbetur: regjimit sirian – e keqja më e vogël në krahasim me armikun historik turk. Nga këtu një përzierje kartash në tryezën e lojës. Në fakt deri pak kohë më parë një pjesë e madhe e Sirisë rrëshqiste nga kontrolli i Damaskut dhe ishte në duart e kurdëve të mbështetur nga Uashingtoni, por dhe nga Franca dhe Mbretëria e bashkuar të cilat kanë ende forcat e tyre special në terren.

Rusia e ka kthyer Sirinë në skenën e rikthimit të saj me statusin e fuqisë së planit të parë duke përfituar nga tërheqja amerikane e nisur nga Barak Obama në vitin 2013. Në atë kohë Rusia dhe Irani, mbushën vendin e lënë bosh nga largimi amerikan duke mbështetur Asad, gjë që solli pasoja të rënda humanitare dhe politike

Tashmë Putin përfiton sërish nga eklipsi i Uashington për të konfirmuar vendin e tij si fuqi e vetme e huaj e pranishme në terren dhe e aftë për të dialoguar me të gjithë aktorët e përfshirë. Aleat dhe mbrojtës i Damaskut, presidenti rus është lideri I negociatave që bashkon protagonistët e luftës, përveç se takohet rregullisht me liderët e Iranit dhe Turqisë

Putin ruan një marrëdhënie shumë të ngushtë me presidentin turk Erdogan të cilit i ka shitur një sistem mbrojtjeje anti raketë S-400 prodhim rus – pavarësisht se Turqia është anëtare e NATO. Për pasojë vështirë se Moska do të vendosë një embargo të ngjashme me atë të Parisit dhe Berlinit, që gjithsesi mbetet simbolike.

Presidenti rus po përfiton më së miri nga vendimi i Shtëpisë së bardhë. Donald Trump i përsërit votuesve të tij se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë asnjë punë në Lindjen e Mesme dhe se vendosja e trupave ushtarake amerikane atje ishte një gabim i madh. Në këtë mënyrë i lihet rrugë e lirë fuqive të tjera të mëdha.

Në kohën e luftës së ftohtë Lindja e Mesme ndahej mes palëve me qëndrime të ndryshme. Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik loja u bë shumë më komplekse, duke nxjerrë në pah fuqi rajonale autonome

Cila do të jetë situate në Lindjen e Mesme pas kaosit të krijuar nga ndërhyrja turke? Do të dijë Putin të përfitojë dhe më shumë nga situate? Në çfarë mënyre? Duke parë situatën aktuale të kurdëve kuptohet se objektivi i Moskës nuk është mbrojtja e popullsive të rajonit, viktima të përjetshme të strategjive të fuqive të radhës./ABC News Albania