Shtetet e Bashkuara u kanë shprehur udhëheqësve të të gjitha partive në Kosovë pritshmërinë për të formuar një qeveri pro-dialogut me Serbinë dhe të gatshme për të hequr taksën.
Arritja e marrëveshjes së paqes mes Kosovës dhe Serbisë është prioritet strategjik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë David Kostelançik, zëvendës i të dërguarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matheë Palmer. Kostelançik ka theksuar kërkesat që i janë parashtruar udhëheqësve të Kosovës pas zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Kosova sapo doli nga zgjedhjet dhe SHBA-ja ka shprehur tek liderët e të gjitha partive shpresën dhe pritjen se do të formojnë një qeveri pro dialogut, të gatshme për të pezulluar taksën, e cila ka bllokuar procesin”, ka thënë Kostelancik të enjten, në Forumin e Sigurisë në Beograd.
Kostelançik, i cili është edhe drejtor i Zyrës për Evropën Jugore dhe Qendrore, ka theksuar domosdoshmërinë e njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve dhe ka nënvizuar se SHBA-ja do të qëndrojë gjithmonë në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës.
Koha Ditore citoi zotin Kostelançik të ketë thënë se fushata e Serbisë për të anuluar njohjet dhe për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, është duke dëmtuar përpjekjet për dialog dhe arritjen e rezultateve.
“Prandaj ajo duhet t’i ndalë këto veprime. Të dyja e kanë vëmendjen e plotë dhe përkushtimin e SHBA-së për arritjen e marrëveshjes. Nuk duhet të humbet mundësia për njohje reciproke dhe një marrëveshje ligjërisht të pranueshme që mundëson paqen e qëndrueshme”, ka theksuar diplomati amerikan./ABC News Albania