Kameramani i Al Jazeera-s, Samer Abu Daqqa, i cili u plagos në sulmet izraelite në Khan Younis në pjesën jugore të Rripit të Gazës, humbi jetën nga plagët e marra.
Abu Daqqa u plagos për shkak të copëzave (sharapneleve) si rezultat i sulmeve të Izraelit pranë shkollës Ferkhane, njoftoi Al Jazeera.
Pasi u plagos, Abu Daqqa u strehua në një zonë pranë shkollës Ferkhane, ku vazhduan sulmet dhe ambulancat nuk mundën të hynin në zonën e rrethuar nga forcat izraelite.
Ekipet e ndihmës së parë nuk u lejuan të hynin në zonën e rrethuar për orë të tëra për të ndërhyrë dhe trajtuar kameramanin e plagosur. Ai nuk mund të dërgohej në spital.
Gjithashtu, sipas informacioneve nga burimet lokale, si pasojë e sulmeve izraelite humbën jetën tre punonjës të mbrojtjes civile që u përpoqën të ndërhynin për të ndihmuar Abu Daqqa-n dhe të plagosurit e tjerë të bllokuar në shkollë.
“Mund të bëj gjumë vetëm rreth 3 orë në ditë”
Pamje e të Abu Daqqa-s gjatë xhirimeve të tij të fundit pranë shkollës Ferkhane u shpërndanë në mediat sociale.
Aty vërehet gjendja e pagjumë e tij dhe kur një mik gazetar e pyeti se sa kohë ka që nuk ka fjetur, Abu Daqqa u përgjigj: “Mund të bëj gjum vetëm rreth 3 orë në ditë”, duke shprehur dëshirën e tij për shëndet dhe mirëqenien e të gjithë kolegëve punonjës në media.
Kameramani i televizionit Al Jazeera, Abu Daqqa, u plagos së bashku me gazetarin Wael ed-Dahduh gjatë sulmit nga forcat izraelite pranë shkollës Ferkhane, ku po qëndronin të zhvendosurit në Khan Younis.
Dahduh, i cili u plagos në dorë, krah, shpatull dhe bark, u dërgua në spitalin Al-Nasr në Khan Younis, ndërsa shkolla ku u strehua Abu Daqqa dhe zona përreth shkollës u rrethuan nga forcat izraelite.