Duket larg, por në të vërtetë nuk është ashtu. Këtë e dinë mirë Sylvinho dhe drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Për këtë arsye po punohet mbi programin stërvitor, por mbi të gjitha për sigurimin e rivalëve për të paktën tre ndeshje miqësore përpara aventurës në finalet e Euro 2024.
Dy pistat e para që çonin te përballjet me Zvicrën ose Turqinë në datat e lira të FIFA-s gjatë muajit mars duket se janë sfumuar. Ndërkohë, tratativat vijojnë me Federata të tjera. Objektiv është sigurimi i një emri të madh për një prej miqësoreve të marsit.
Siç dihet, kombëtarja e Shqipërisë do të luajë në një grup shumë të fortë me Spanjën, Italinë dhe Kroacinë, ndërsa për këtë arsye kërkohet një rival që të jetë në të njëjtin nivel.
Po ashtu, kërkohen edhe të paktën dy kundërshtarë të tjerë, që do t’I mundësonin Silvinjos të kristalizonte idetë e tij mbi futbollistët që do të marrë me vete në Gjermani për finalet e Euro 2024.
Një detyrë e vështirë për teknikun kuqezi, pasi UEFA ka vendosur që secila skuadër të grumbullojë 23 lojtarë dhe jo 26 siç ndodhi në Europianin e fundit për shkak të pandemisë.
Po ashtu, për t’u zgjedhur mbetet edhe vendi ku kombëtarja kuqezi do të zhvillojë fazën përgatitore përpara se të udhëtojë drejt Gjermanisë ku si kamp bazë ka zdhedhur kompleksin “SportCentrum Kaiserau”, që ndodhet në zonën e Dortmundit, ku edhe do të luajë ndeshjen e parë në Euro 2024 kundër Italisë më 15 qershor. /abcnews.al