Humb jetën azilkërkuesi në Britani, dyshohet se ka vrarë veten

schedule15:15 - 12 Dhjetor, 2023

schedule 15:15 - 12 Dhjetor, 2023

Një azilkërkues është gjetur i vdekur në bordin e një strukture lundruese të përdorur për strehimin e tyre në brigjet jugore të Anglisë. Vdekja është raportuar në anijen “Bibby Stockholm”, e ankoruar në Portland, e cila mund të strehojë deri në 500 persona,

Sipas informacioneve, dyshohet se azilkërkuesi ka vrarë veten, ndërsa policia ka nisur menjëherë hetimet,

“Mendimet tona shkojnë për personin që humbi jetën, për familjen dhe miqtë e tij. Ata po ndahen nga pjesa tjetër e shoqërisë dhe ne kemi dëshmuar një përkeqësim serioz të shëndetit mendor të njerëzve”, tha Shoqata “Care4Calais”.

Ministria e Brendshme e Britanisë së Madhe konfirmoi se ishte në dijeni të raportimeve për një incident të ndodhur në strukturën e strehimit të azilkërkuesve, por nuk pranoi të komentonte më tej.

Kryeministri Sunak e ka shndërruar luftën kundër emigracionit të paligjshëm në një prej prioriteteve kryesore të tij.

Për këtë arsye, qeveria e Londrës po përpiqet që të ulë kostot e akomodimit të azilkërkuesve në hotele duke përdorur struktura lundruese dhe ish-zona ushtarake. Por politikat e Sunak, përfshirë planin për dëbimin e azilantëve për në Ruanda, janë konsideruar kontroverse, ndërsa grupet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut e konsiderojnë strukturën “një burg lundrues” dhe përdorimin e saj, një metodë çnjerëzore.

/abcnews.al