Ja emrat që përdornin deputetët Rakipi e Rehovica

schedule13:58 - 27 Dhjetor, 2017

schedule 13:58 - 27 Dhjetor, 2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u lërë dy ditë kohë deputetëve Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica, për të përgatitur mbrojtjen, para se të vendosë nëse do të pranojë kërkesën e Prokurorisë për t’u hequr mandatin, për shkak të ligjit të dekriminalizimit. Nga dosja e dërguar prej organit të Akuzës në KQZ zbulohen edhe identitetet e tjera që dy deputetët kanë përdorur në Itali, të cilat nuk i kishin deklaruar, ndërsa ishin raportuar për vjedhje në vendin fqinj.

Një ditë pasi pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve mbërriti kërkesa e Prokurorisë për heqjen e mandatit ndaj dy deputetëve Aqif Rakipi të PDIU-së dhe Gledion Rehovica të LSI-së, pasi rezultojnë në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, kryetari i KQZ-së Klement Zguri zhvilloi një takim informal me anëtarët e tjerë të këtij institucioni, të cilët i njohu me materialin e mbërritur nga organi i Akuzës.

 

Gjatë këtij takimi mësohet se është rënë dakort që deputetëve Rakipi dhe Rehovica t’u lihej dy ditë kohë për të përgatitur mbrojtjen, në mbledhjen e posaçme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të zhvillojë mbi çështjen, e cila, sipas ligjit duhet të mbahet brenda 10 ditësh nga mbërritja e kërkesës së Prokurorisë.

Ndërkohë, nga dosjet e dorëzura prej Prokurorisë pranë KQZ-së, mësohet se organi i Akuzës, në kuadër të verifikimeve mbi ligjin e dekriminalizimit, i ka dërguar Interpol-Romës shenjat e gishtave të deputetit të PDIU-së, Aqif Rakipi. Sipas Prokurorisë, rezultoi se Aqif Rakipi është raportuar më datë 03.11.1998, për veprën penale të marrjes së mallrave të vjedhura, me gjeneralitetet Skëndër Ejylbegaj, lindur më 24.03, 1962.

Në dosjen tjetër, atë për deputetin e LSI-së, Gledion Rehovica, Prokuroria shpjegon se kishte bërë të njëjtin konfrontim përmes shenjave të gishtave, me databazën kriminale të Interpolit. Edhe në këtë rast, thekson dosoja, nga Interpol-Roma, pas krahasimit të gjurmëve të gishtave, ka rezultuar se Gledion Rehovica është raportuar më datë 27.02, 1999, për veprën penale “Vjedhje dyqani”, me gjeneralitetet Kusta Mina, lindur më 21. 12. 1978 në Shqipëri.

Prokuroria, në kërkesën drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpjegon gjithashtu se të dy deputetët nuk kanë raportuar në formularin e dekriminalizimit asnjë prej këtyre episodeve të problemeve që kanë pasur me drejtësinë italiane dhe as gjeneralitetet e tjera që kanë përdorur në të shkuarën e tyre, arsye për të cilën kërkon që dy deputetëve t’u ndërpritet mandati parlamentarit./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!