“Kjo ishte lufta më e fortë”, palestinezi rrëfehet në “Real Story: Drama e luftimeve Izrael-Hamas në Gaza

schedule21:10 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 21:10 - 11 Dhjetor, 2023

Ejad Naimi është një nga personat i cili duhet ta nisë nga zero jetën e tij, pasi u largua nga Gaza, si pasojë e luftimeve Izrael-Hamas.

Me nënë shqiptare dhe baba palestinez, Ejadi është kthyer në Tiranë me familjen e tij. Për emisionin “Real Story” në ABC News, ai tregoi dramën njerëzore që kaloi në Gaza.

“Atë ditë filluan izraelitët. Ne ishim në shtëpi, kishim frikë të dilnim, se mos dronët izraelitë na bombardonin në mes të natës. Ecim 4 kilometra, arritëm në një shkollë në qytetin Xhobalia, klasat ishin të mbushura me njerëz. Ndenjëm aty një javë, filluan të gjuanin në Gaza.

Kujton sesi i ka shpëtuar bombardimeve duke mbrojtur familjen.

“Vajza ishte e sëmurë dhe ne ishim në kamp te shkolla. Do ta çoja në spital, rrugës, duke u kthyer nga spitali, kaluam te tregu, bombarduan afër nesh. Vrapuan gjithë njerëzit, kisha frikë se mos binin tullat sipër vajzës, sipër gruas sime. E mora vajzën e hodha në një dyqan , e mora gruan, u futëm në dyqan”.

Për nisjen e konfliktit, akuzon Izraelin, për shkatërrimin e vendit.

“2-3, filloi lufta, ishte problem midis qeverisë së Arafatit dhe Izraelit. Filluan trazirat, në kohën e Arafatit kishte koloni izraelite në Gaza. Pastaj filloi lufta kur erdhi Hamasi në 2005, 40 ditë zgjati, ishte si kjo që ndodhi, nuk ishte kaq e vështirë. Kjo ishte lufta më e fortë, e 7 tetorit, tani Izraeli shkatërroi gjithë shtëpinë, qytetin, rrugët.”

Shqipërinë e quan nënë, ndërsa Palestinën baba. Për ironi të fatit, Shqipërinë e la 26 vite më parë, për shkak të trazirave të vitit 1997, ndërsa sot edhe një luftë më e madhe po e rikthen sërish në Shqipëri.

“Shqipëria është nëna ime, e kam mamanë shqiptar, Palestina është babai im. Kam lindur në Shqipëri, kam mbaruar shkollën këtu. Jeta ime në Shqipëri ka qenë shumë e bukur, në 1997 kishte probleme, kishte trazira. Shkuam në Palestinë.”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!