Bumi i turistëve/ Eksperti rendit përfitimet: Shqipëria po futet në vendet që ofron turizëm gjatë gjithë vitit

schedule14:35 - 11 Dhjetor, 2023

schedule 14:35 - 11 Dhjetor, 2023

TIRANË– Eksperti për çështjet ekonomike, Ferjolt Ozuni, foli për të dhënat e turizmit dhe vizitorëve në Shqipëri, të cilat deri në muajin nëntor, kanë kapur shifrat në 9.5 milionë.

Gjatë intervistës në “Money Report” eksperti tha se ky projeksionet tregojnë se Shqipëria e ka zgjeruar sezonin turistik, përtej atij veror. Ai shtoi se më shumë se shifrat, pozitive është fakti që turistët vijnë përgjatë gjithë vitit në vend dhe kontribuojnë në ekonominë e vendit.

“Është ajo që më shumë kërkonte më shumë qeveria, Kishin një parashikim optimist, port me mënyrën se si nisi ky vit dukej e realizueshme. Prisnim 9-9.5 milionë. Këto numra nuk janë të përqendruar vetëm në sezonin veror, dhe tashmë ne po i hyjmë atij turizmit në të gjithë sezonin e vitit dhe kjo është një arritje më e madhe se sa vetë numri. Shqipëria po bëhet më e dukshme. Fakti që nëntori arriti në këto shifra, tregon realisht faktin se Shqipëria është një atraksion jo vetëm për pushime verore, por e gatshme edhe për të gjitha tipologjitë e turizmit. Fakti që kemi arritur këto shifër nuk është se jemi vetëm një trend, por kemi edhe një klimë, e cila na favorizuan dhe kjo nuk duhet lënë pas dore. Nëntori ka qenë një kohë perfekte për realizimin e tureve. Turistët e kanë krijuar sigurinë se në Shqipëri mund të kalohet mirë edhe jashtë sezonit veror.”, tha ai.

Ai theksoi se edhe linjat e fluturimeve kanë ndihmuar në krijimi i destinacioneve të reja, të cilat kanë sjellë më shumë turistë në vendin tonë.

“Në këndvështrimi im kjo është pjesa me e rëndësishme. Kemi mbi 60 fluturime nga Italia, Spanja, Anglia dhe Gjermania. Kemi pika nisje nga destinacione, që nuk i kishim ne më parë dhe duke u zgjeruar kjo hartë vendi ynë bëhet më atraksion. Nëse s’ke mënyra të mjaftueshme për udhëtim, është e kotë të ofrosh gjithçka. Dy kompanitë “low Cost” që kanë hyrë në Shqipëri kanë dhënë shtysën për hyrjen e atyre turistëve që shohim sot.”, tha ai.

Ai theksoi se trendi i numrit të vizitorëve pritet të vazhdojë edhe përgjatë vitit të ardhshëm, ndërsa përmendi një tregues tjetër kyç, që lidhet me konkurrencën nga Mali i Zi, Kroacia apo dhe Greqia, konkurrencë e cila sipas Ozunit duhet ta mbajë të “zgjuar” vendin tonë, përballë gjetjes së mekanizmave për shtimin e turistëve.

Sipas tij, Shqipëria ende nuk është në pozitat dhe kushtet për të pritur turizëm elitar, por shtoi se të dhënat aktuale tregojnë se turizmi duhet të kategorizohet me çdo kusht, si një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare.

“Shanset janë të mëdha, që të jemi trend edhe në 2024, sepse tregu evropian nuk është saturuar ende me idenë e Shqipërisë turistike. Sfida më e madhe, është mbajtja dhe rikthimi i turistëve edhe përgjatë vitit të ardhshëm. Ky do jetë viti më fitimprurës dhe mbase do jetë viti që do ta kategorizojë turizmin në një nga hallkat kryesore të ekonomisë shqiptare. Ne jemi ende larg për turizmin elitar, sepse ne nuk jemi të përgatitur”, tha ai./ n.m.abcnews.al