Kamionistët polakë bllokojnë kufirin me Ukrainën, rrezikohen ndihmat për fushën e betejës

schedule23:07 - 9 Dhjetor, 2023

schedule 23:07 - 9 Dhjetor, 2023

Automjete transporti dhe pajisje shëndetësore për fushën e betejës në Ukrainë janë mes artikujve të bllokuar në një radhë kilometrike përgjatë kufirit me Poloninë. Pajisje për ndërtimin e dronëve për betejën kundër agresorit rus tashmë janë me disa javë vonesë.

Organizatat bamirëse për Ukrainën dhe kompanitë që furnizojnë ushtrinë e vendit të shkatërruar nga lufta paralajmërojnë se problemet po shtohen pasi nuk duket asnjë shenjë nga ana e drejtuesve polakë të kamionëve për t’i dhënë fund një bllokade kufitare që ka zgjatur prej një muaji.

Protestuesit polakë argumentojnë se mënyra e jetesës së tyre është vënë në rrezik pasi Bashkimi Evropian i lehtësoi disa rregulla transporti dhe se kamionistët ukrainas po dëmtojnë biznesin e tyre.

Ndërsa për dronët që do të përdoren në vijën e parë të frontit ka vonesa dy deri në tre javë, tha Oleksandr Zadorozhnyi, drejtor operacional i fondacionit KOLO, i cili ndihmon ushtrinë ukrainase me teknologjinë e fushëbetejës, përfshirë dronët dhe pajisjet e komunikimit.

“Kjo do të thotë se ushtria ruse do të ketë aftësitë që të vrasë ushtarë ukrainas dhe ta terrorizojë popullsinë disa javë më gjatë”, tha ai.
Që nga 6 nëntori drejtuesit e kamionëve në Poloni kanë bllokuar rrugët hyrëse drejt pikave kufitare. Radha e makinave shkon rreth 30 kilometra e gjatë, automjeteve i duhen të presin rreth tre javë në temperaturat e acarta.

Protestuesit këmbëngulin se ata nuk po pengojnë transportin ushtarak apo ndihmat humanitare për Ukrainën.

​“Kjo është shumë e çuditshme për mua, madje e vështirë për t’u besuar sepse të gjithë e dinë, që nga ata që bëjnë porosinë, ata që kërkojnë përshpejtimin e dërgesave dhe ata që bëjnë transportin, se ndihmat për ushtrinë kalojnë pa pasur nevojë fare që të presin”, thotë Waldemar Jaszczur, një nga organizatorët e protestës.

Shoferët polakë thonë se kamionistët ukrainas po ofrojnë çmime më të ulëta për të transportuar gjithçka në të gjithë Bashkimin Evropian pas marrjes së një vendimi të përkohshëm që anashkalon rregullat e transportit të bllokut prej 27 anëtarësh pas fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës në vitin 2022.

Pavarësisht se Polonia dhe shtetet e tjera fqinje janë ndër mbështetësit më të mëdhenj të luftës së Ukrainës, mes fermerëve dhe kamionistëve është krijuar pakënaqësi.

Ata argumentojnë se po humbasin të ardhurat e tyre si rezultat i mallrave dhe shërbimeve ukrainase me kosto më të ulët që futen në bllokun më të madh tregtar në botë. Kjo nënvizon sfidat e integrimit të Ukrainës në BE nëse miratohet kërkesa e saj./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!