Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ) ka thënë se 94 gazetarë dhe punonjës të mediave, në mesin e të cilëve 9 gra, janë vrarë gjatë vitit 2023, që përbën një rritje prej 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe vë në pah nevojën për “një standard të ri global” për mbrojtjen e mediave.
Nëpërmjet një raporti të publikuar më 8 dhjetor, IFJ-ja ka thënë se pothuajse 400 punonjës të mediave janë burgosur më 2023, dhe kjo, sipas saj, shfaq nevojën për mbrojtje më të mirë të gazetarëve në mbarë globin, shkruan REL.
“IFJ ngulmon se nevojitet veprim shumë më i madh nga komuniteti ndërkombëtar për mbrojtjen e jetës së gazetarëve dhe për vënien e sulmuesve të tyre para drejtësisë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, lufta në Rripin e Gazës, e cila filloi në tetor, ka shkaktuar rritjen e ndjeshme të vdekjeve, teksa 68 gazetarë – më shumë se një në ditë – janë vrarë që kur shpërthyen luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
Të dhënat e IFJ-së kanë treguar se gjithsej 68 gazetarë kanë vdekur duke mbuluar luftën.