“Ku shkoni pa përforcime, do t’u vrasë.  Në shtëpinë e tij ka dhe antitank….” Çfarë thonë banorët për Dritan Haxhollin

schedule18:00 - 16 Tetor, 2019

schedule 18:00 - 16 Tetor, 2019

Banorët në Kavajë e njihnin si person agresiv dhe inatçor Dritan Haxhollin, por frikë e kishin edhe  punonjësit e policisë. 41 vjeccari jetonte me nënën e tij dhe e bija e takonte herë pas here. 

Banorët në periferi të Kavajës, ajo që quhet lagja numër 4, e njohin mirë Dritan Haxhollin. Por askush nuk do të flasë publikisht për 41 vjeçarin.

Në një shtëpi private, jetonte vetëm me nënën e tij.  I divorcuar, herë pas here vizitohej nga e bija 15 vjeçare. Një fqinj kujton se pas kthimit nga emigracioni disa vite më parë, burri që u vra në shtëpinë e ish të dashurës, u shfaq me profilin e një njeriu të zemëruar.

Burime të ABC News në prokurorinë e Kavajës treguan për një person që përdorte lëndë narkotike dhe që ishte në mbikëqyrje për trafikim të tyre. Ishte karakter i vështirë, i inatosur dhe i egër, me një rreth të kufizuar miqsh që më shumë vinin nga jashtë Kavajës. Kështu njihej në opinion.

Me ardhjen nga Greqia, u shtuan dhe lajmet për krime të mundshme jashtë kufirit.

“Ka bërë burg shumë atje dhe ketu”, thotë një banor i lagjes. Njerëzit e kishin frikë.

Të njëjta referenca gjen edhe në policinë e Kavajës.   Një  punonjës i komisariatit kujton se në një rast shkuan për ta arrestuar.

Dikush që e njihte mirë Haxhollin u doli para dhe u preu rrugën.

“Ku shkoni pa përforcime, do t’u vrasë.  Në shtëpinë e tij ka dhe antitank. Ka gjuajtur me të…..”

Policët u zmbrapsën kurse dëshmitë për kanosje e kërcënime sa vinin dhe shtoheshin në popullatë. Lajmi se Dritan Haxhollin nuk mund ta arrestonte kush, shkoi deri në Policinë e Shtetit.

Një zyrtar i tha ABC News se ishte përgatitur plani dhe operacionet do të niseshin në Kavajë për ta kapur jo më larg se një ditë pasi ndodhi ngjarja. Dhe kur ai u vra në shtëpinë e Marsida Qatjes për policinë rasti u pa si lehtësim. Më pak shpenzime, më pak rrezik./abcnews.al