Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar në Kuvend paketën e re fiskale, duke theksuar se ulja e TVSH-së për shportën do të synojë të sjellë uljen reale të çmimeve për konsumatorët.
Gjatë fjalës së tij, Malaj bëri të ditur se qeveria do të monitorojë tregjet për të shmangur abuzimet dhe për të garantuar që reduktimi i taksës të reflektohet në çmimet përfundimtare të produkteve.
Ai zbuloi gjithashtu se po shqyrtohet mundësia e krijimit të një Bordi të Përhershëm të Transparencës, ndërsa theksoi se rritja e të ardhurave për vitin 2027 do të mbështetet kryesisht te rritja ekonomike dhe forcimi i zbatimit të masave fiskale.
“Janë disa mekanizma që jemi duke shqyrtuar. Është monitorimi i tregjeve. Është duke u diskutuar nëse do të ketë një Bord Transparencë permanent, por kjo është ende ne diskutim. Do të monitorojmë tregjet për të shmangur abuzimet.
Nëse reduktimet në TVSH, do të reflektohen në uljen reale të çmimeve. Rritja e të ardhurave mbështet nga disa faktorë: rritja e ekonomisë ndaj të gjitha lloj taksave. Kemi efektin e zbatimit të masave fiskale. Një nga kontribuuesit kryesore është edhe implementimi i të ardhurave. Dy janë shtyllat kryesore që kontribuojnë në rritjen e të ardhurat e vitit 2027: rritja ekonomike dhe implementimi i të ardhurave”, tha ministri Malaj.


