Gratë e PD letër Ruçit të dënojë dhunën ndaj deputeteve të LSI

schedule12:04 - 27 Dhjetor, 2017

schedule 12:04 - 27 Dhjetor, 2017

Aleanca e Grave Deputete i kërkoi Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, që të dënojë dhe të marrë masa për deputetët dhe punonjësit e Policisë që sipas tyre ushtruan dhunë kundër dy deputeteve vajza, Kejdi Mehmetaj dhe Floida Kërpaçi, të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Letra drejtuar Ruçit, duket se edhe vete brenda Aleancës së Grave Deputete ka gjetur vetëm mbështetjen e parlamentareve të opozitës, ndërsa nënvizohet se janë ftuar edhe deputetet e mazhorancës që t’i bashkohen protestës. Në letër, deputetet opozitare shprehën shqetësimin për mungesën e reagimit nga ana e kreut të Kuvendit: “Ju jo vetëm nuk u distancuat nga dhuna apo nuk morët masa ndaj saj, por, nëpërmjet tolerancës dhe heshtjes tuaj, treguat se pas këtyre akteve dhe nxitës e përkrahës të tyre jeni pikërisht ju”- thuhet në letrën drejtuar Ruçit. Në të njëjtën letër, që u shpërnda nga zyra e shtypit të PD-së, bie në sy se autoret nuk distancohen nga dhuna që u pa të ushtronte në Parlament një tjetër deputete, kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, e cila u shfaq duke gjuajtur edhe me çizme./abcnews.al