Negociatat, ministrat e Jashtëm pa vendim. Hahn: 25 vende pro, do vendosë Këshilli

schedule23:05 - 15 Tetor, 2019

schedule 23:05 - 15 Tetor, 2019

Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së nuk arritën të gjejnë një qëndrim unanim lidhur me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë shtypi në përfundim të takimit, ministrja finlandeze për Europën dhe komisioneri Johanes Hahn ia kaluan përgjegjësinë e vendimit Këshillit Europian.

Ndonëse nuk e konsiderojnë Ballkanin Perëndimor një “oborr” të kontinentit të vjetër, ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së nuk kanë arritur të bien dakord mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në përfundim të takimit të shumëpritur të së martës, ku çështja e zgjerimit ishte pjesë e rëndësishme e agjendës së bisedimeve, ministrja e finlandeze për Europën, Titi Tupurainen dhe komisioneri në ikje për Zgjerimin Johanes Hahn munudën vetëm të konfirmonin përgjegjësinë që kanë kundrejt rajonit dhe kalimin e topit në fushën e Këshillit Europian.

Tytti Tuppurainen, ministre për Europën e Finlandës: Për fat të keq sot Këshilli nuk ishte në gjendje të merrte një vendim unanim. Më vjen keq për këtë. Sidoqoftë, bisedimet ishin të dobishme për të kuptuar qëndrimet e vendeve anëtare. Dhe mesa kuptova unë, presidenti i KE-së, zoti Tusk, synon ta fusë këtë çështje në debatin e samitit të ardhshëm të Këshillit.

Duke qëndruar në të njëjtat linja, komisioneri Hahn vuri megjithatë në dukje se shumica e vendeve anëtare janë pro hapjes së negociatave, me përjashtim të tre skeptikeve, të cilave nuk ua përmendi emrat.

Johannes Hahn, komisioner i BE për Zgjerimin: Shumica e vendeve kanë mbështetur rekomandimet e Komisionit, jo për herë të parë, por për herë të dytë brenda 16 muajsh. Kjo nuk është risi, por jemi këtu ku jemi dhe mua më vjen keq që ky nuk është momenti më i mirë për BE-në.

Hahn theksoi se drita jeshile tani nuk do të thotë hapje negociatash menjëherë, pasi hapja e dy kapitujve të parë, 23 e 24 do bëhet në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Megjithatë, si Hahn edhe ministrja Tupurainen shprehën besimin se në samitin e krerëve të shteteve anëtare më vonë gjatë javës do të merret vendimi i duhur politik për të rivendosur besimin e Ballkanit tek BE-ja./abcnews.al