“Shqipëria, asnjëherë më mirë se sot”, Mazniku: Duhet më shumë bashkëpunim mes komunave shqiptare

schedule17:28 - 28 Nëntor, 2023

schedule 17:28 - 28 Nëntor, 2023

Ministri i Shtetit për Pushtetin vendor, Arbjan Mazniku, në një intervistë për “Newsline” theksoi se ky 111 vjetor i Pavarësisë e ka gjetur Shqipërinë më mirë se kurdoherë. Ai thotë se ka ende shumë gjëra për të bërë por shtoi se teksa këndojmë për flamurin “ky është një moment i mirë për kombin tonë.”

“Ditët e festave si kjo është një moment për të reflektuar pak mbi historinë tonë. Po ta shohim kur ka nisur zhvillimi i vendit në këtë 30 vjeçar të fundit, besoj që jo vetëm kaq por po ta çojmë historinë në 1912, mendoj se nuk kemi pasur asnjë ditë më të mirë. As nga pikëvështrimi ekonomik. Shqipëria sot padyshim që nuk është aty ku ne aspirojmë të jetë por s’ka qenë asnjëherë më mirë se kaq, as nga ana e marrëdhënieve ndërkombëtare. Padyshim që ne duam më të mirën që Shqipëria të përmirësohet, por në raport me marrëdhëniet tona me rajonin, me me pozicionin tonë në rajon, Evropën, SHBA-të, me Perëndimin që është busulla jonë, nuk e ka pasur kurrë situatën më mirë. Në raport me situatën e shqiptarëve të të gjithë rajonit, shqiptaria nuk e ka pasur kurrë situatën më mirë se kaq. Ka ende pafund gjëra për të bërë, por është një moment teksa këndojmë këngën e flamurit, të themi se ky është një moment i mirë për kombin tonë.”, u shpreh Mazniku.

Më tej, ai shtoi duhet bërë më shumë në aspektin ekonomik mes trojeve shqiptare.

“Dje iu bashkua shoqatës së bashkive shqiptare edhe bashkitë nga zonat arbëreshe si një strukturë ku ne mund të bashkërendojmë punën më mirë. Mendoj se që një gjë e mirë është që teksa kemi qenë përpara me mentalitetin se si do na ndihmojnë të huajt, jemi në një moment në të cilin bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe gjendemi kur kemi nevojë. Pra, fakti që jemi në një pikë që nuk po shohim për ndihmë kur jemi në ditë halli nga jashtë por se si të ndihmojnë dhe bashkërendojmë punët për të ndihmuar në ditët e problemit, është një hap tjetër e faktit që gjërat janë duke ecur në drejtimin e duhur. Duhet të fillojmë të punojmë më shumë në bashkëpunimin ekonomik midis qyteteve dhe mes trevave shqiptare, në sektorin e turizmit, të teknologjisë, edukimit. Ka një seri sektorësh që mund të punojmë më shumë dhe të rrisim volumin e shkëmbimeve tregtare pasi midis shkëmbimeve kulturore, kombëtaren, dhe krijimit të një strukture të shkëmbimit ekonomik të fortë besoj se kjo do të jenë ato fijet që lidhin stofën e kombëtarisë”, shtoi Mazniku./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!